“Të arrihet marrëveshja”/ Presidenti Donald Trump, bën thirrje sërish për paqe në Gaza

Përmes një postimi në platformën e tij sociale, Trump përsëriti thirrjen për paqe. Kjo është hera e dytë gjatë kësaj fundjave që ai bën një deklaratë të tillë për situatën në Gaza.

Presidenti amerikan Donald Trump ka ripërsëritur thirrjen për një marrëveshje paqeje lidhur me konfliktin në Rripin e Gazës, por mbetet e paqartë se sa afër është një zgjidhje diplomatike, raporton Sky News.

Megjithatë, paralelisht me thirrjet për paqe, të paktën 72 persona humbën jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në disa zona të Gazës, duke hedhur hije dyshimi mbi përparimin e përpjekjeve diplomatike.

Bisedimet për paqe u ndërprenë në mars, pasi Izraeli ndërmori një ofensivë të re mbi territorin palestinez, çka bllokoi zbatimin e një armëpushimi të mëparshëm për shkak të mosmarrëveshjeve për mënyrën e zbatimit të tij. Që atëherë, negociatat kanë vijuar herë pas here, por pa ndonjë rezultat konkret.