Mjekët specialist thonë se gjatë kësaj periudhe dehidratimi rrit rrezikun për ataket kardiake. Ditët e fundit vendi po përballet me temperatura ekstreme të cilat janë kthyer në një shqetësim serioz për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.
“Temperaturat e larta çojnë në një prishje të ekuilibrit të trupit nga dehidrimi. Pra humbja e lëngjeve nëpërmjet djersitjes për arsye sepse vetë organizmi për të eliminuar nxehtësinë shton djersën dhe nëpërmjet këtij mekanizmi dehidratohemi, dhe humbja e lëngjeve shoqërohet dhe me humbjen e kripërave të cilat janë esenciale për funksionimin e mirë të trupit dhe zemrës. Mosha më vulnerabel janë mosha e tretë dhe fëmijët”, tha Daniela Teferiçi, mjeke kardiologe.
Mjekët këshillojnë të gjithë grupmoshat për më shumë kujdes të shtuar nga ana e tyre, konsumim të vazhdueshëm të lëngjeve, dhe mosekspozimin në orët e pikut.
“Këto mosha duhet të bëjnë më shumë kujdes dhe kujdesi duhet të jetë e para duke eliminuar ekspozimin në oraret ku dielli është më i nxehtë, pra nga ora 11 deri në orën 5, njëkohësisht duhet veshur në mënyrë më të përshtatshme si dhe pirja e ujit, pra ne duhet të parandalojmë dehidrimin”, shtoi mjekja Teferiçi.
Gojë e thatë, nauze, ndjenjë të fikti, gjendje konfuzionale apo dobësi, mungesë energjie, janë vetën disa nga simptomat më të zakonshme të cilat shkaktohen si pasojë e qëndrimit për një kohë të gjatë në temperatura ekstreme.