PAMJET/ Vijon prej disa orësh zjarri në landfill pranë inceneratorit të Elbasanit! Retë e mëdhaja të tymit mbulojnë zonën

Prej disa orësh landfilli i Elbasanit pranë inceneratorit është përfshirë nga flakët.

Zjarri shpërtheu pasditen e djeshme rreth orës 17:10 dhe ende pas më shumë se 10 orësh përpjekjesh, vatra vijon ende të jetë aktive në thellësinë e masës së mbetjeve, ndërsa re të mëdha tymi toksik vijojnë të dalin mbi qytet.

Për të përballuar situatën kritike, u angazhuan 15 mjete zjarrfikëse dhe mbi 100 efektivë nga të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan, si dhe forca ndihmëse nga Kamza, Tirana dhe Berati.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Zjarrfikëses, Arben Cara, ndërhyrja në landfill është një nga sfidat më të mëdha, për shkak të përmasave të mbetjeve, lëndëve të djegshme dhe temperaturave të larta në thellësi.

“Është ende herët për të folur për shkaqet konkrete” tha mbrëmë Cara. “Zjarret në landfill janë ndër më të vështirat për t’u menaxhuar. Kërkojmë zbatim të ligjit dhe ndëshkim të çdo akti zjarrvënieje të qëllimshme,” deklaroi Cara.