Aksioni në “Vasil Shanto”/ I arrestuari në kërkim që prej janarit! Shoferi “ia mbathi” (EMRI)

Policia ka reaguar në lidhje me aksionin e zhvilluar sot në Tiranë, që rezultoi me arrestimin e një personi.

Sipas uniformave blu, drejtuesit të mjetit i ishte kërkuar të ndalonte që në zonën e “Vasil Shantos”, rreth orës 16:30, nga Forcat “Shqiponja”. Kjo pasi dyshohej se qarkullonte me armë. Drejtuesi nuk iu bind urdhrit, dhe u largua me shpejtësi duke përplasi tre automjete në tentativë për t’u arratisur. Më pas, ai dhe pasagjeri braktisën makinën në rrugën “Moskat” dhe hodhën një armë zjarri në rrugë. Policia arrestoi pasagjerin, shtetasin Skerdi Sina, 29 vjeç, të cilit iu gjetën një krehër dhe municion gjatë kontrollit.

Kujtojmë se emri i Skerdi Sinës figuron edhe në një ngjarje në zonën e Astirit, në janar të këtij viti, teksa një e re u mbajt e mbyllur në apartament nga i dashuri dhe disa persona të tjerë, mes tyre dhe Skerdi Sina.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e drejtuesit të mjetit, i cili është identifikuar. Arma u sekuestrua për ekzaminim dhe po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Nuk iu bindën urdhrit të Policisë, përplasën 3 automjete gjatë tentativës për t’u larguar, braktisën automjetin dhe hodhën në rrugë një armë zjarri, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, vë në pranga njërin prej tyre dhe vijon puna për kapjen e shtetasit të dytë, i cili dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit.

Rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8”, në të cilin ndodheshin dy persona, pasi kishin dyshime të arsyeshme se personat në automjet mund të ishin të armatosur. Drejtuesi nuk iu bind urdhrit të Policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”.

Gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.

Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit në automjet, shtetasit S. S., 29 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një krehër dhe municion.