Aleanca me selfie, një marrëdhënie me një klikim

Nga Ansi Benko

Në vendin ku lajmi nuk mbulon ngjarjen, por e sajon, “bashkëpunimi strategjik” me SHBA-në ka rënë në duart e filtrave. Dhe udhëheqësi ynë? Ai ka zbuluar një valixhe të re mjetesh diplomatike: buzëqeshje, kapje krahu, dhe — element thelbësor — klikimi i butonit “share”.

Kështu lind diplomacia shqiptare e kohëve moderne: një bashkëpunim që nis me një selfie dhe përfundon në titullin bombastik “Rubio do të vijë!”. Jo se ka një deklaratë zyrtare. Jo se ekziston një datë. Por, përderisa ka një kameraman që kap momentin dhe një redaksi të etur për klikime, mjafton një buzëqeshje diplomatike për të ngjallur lajmin e vitit.Në vend të raporteve bilaterale kemi postime. Në vend të konferencave të përbashkëta për shtyp kemi “caption” me zemra dhe emoji flamujsh. Dhe në vend të diplomacisë reale kemi marrëdhënie në distancë — midis një ekrani të ndriçuar dhe një realiteti të errët.

Selfie-ja me Rubio është ikona e kësaj epoke: një marrëdhënie tërësisht e bazuar në iluzion optik. Sikur marrëdhëniet ndërkombëtare të maten me numrin e pëlqimeve dhe jo me tekstin e traktateve. Sikur vendimet e DASH-it të ndikonin nga angazhimi në rrjetet sociale, jo nga dosjet e analizave strategjike.

Madje, edhe media e kap këtë ritëm. Të gjithë — copy-paste tituj, copy-paste fotografi, copy-paste servilizëm. Një kakofoni entuziazmi të rremë, ku gazetaria është kthyer në zëdhënëse të propagandës vizuale. E ku “bujë” nuk ka lidhje me përmbajtjen, por me cilësinë e buzëqeshjes në kornizë.

Në këtë pikë, Shqipëria është kthyer në një studio fotografike diplomacie. Udhëheqësi pozon, ambasadori ndriçon, redaksitë duartrokasin. Mungon vetëm Amerika.