Degradon sherri mes dy të rinjve në Itali, plagoset rëndë më thikë 20-vjeçari shqiptar

Një ngjarje e dhunshme ka tronditur qytetin e Rovigos mbrëmjen e 5 korrikut rreth orës 23:30, ku një sherr mes dy të rinjve ka degjeneruar në një përleshje me thika në rrugën pranë qendrës së qytetit. Në kulmin e konfliktit, një 20-vjeçar me origjinë shqiptare është goditur me thikë në gjoks dhe në bark. I riu ndodhet aktualisht në spitalin e Rovigos nën kujdes mjekësor, në gjendje të qëndrueshme, megjithëse plagët janë në zona të ndjeshme të trupit, prandaj dhe mjekët kanë vendosur një prognozë të rezervuar.

Skena në vendngjarje ishte tronditëse, gjak i derdhur në sasi të madhe mbi asfalt. Sipas të dhënave të para, konflikti kishte nisur si një takim për “sqarim” midis dy të rinjve, një shqiptar dhe një rumun, të dy rreth të njëjtës moshë, por ka përfunduar me një akt dhune të rëndë. Dyshohet se ishte i riu me origjinë rumune ai që qëlloi me thikë bashkëmoshatarin shqiptar.