Fadromat zbarkojnë në qendër të Tiranës/ Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike

Pas ultimatumit të kryeministrit Rama, prej disa ditësh në mbarë vendin ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë me mbështetjen e Policisë Bashkiake, ndërmori këtë të enjte një aksion në zonën e njohur si “Piazza” në qendër të kryeqytetit.

Nga pamjet e publikuara, shihen punonjësit e IMT-së, së bashku me pronarët e bizneseve, duke larguar tendat dhe konstruksionet e vendosura në hapësirat publike përpara lokaleve.

Edhe fadroma e IMT shihet e parakuar në zonën prapa muzeut, ndërkohë që policia ka rrethuar zonën dhe ka ndaluar kalimin e qytetarëve brenda perimetrit të sigurisë.

Ky operacion është pjesë e një plani më të gjerë të autoriteteve për të liruar hapësirat publike dhe për t’i kthyer ato në funksion të qytetarëve.