“Nuk do dëgjojmë idiotësirat e këtij!”- Dosja “Plumbi i Artë”, GJKKO dështon të marrë dëshminë e Skerdi Tasit, tension dhe fyerje mes palëve! Shtyhet seanca

Seanca gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë” u ndërpre sërish, për të katërtën herë radhazi, pasi nuk u arrit të merrej dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Skerdi Tasi.

Seanca u zhvillua mes tensioneve të forta, debateve dhe fyerjeve mes prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës.

Sipas gazetares Klodiana Lala, përplasja nisi pas refuzimit nga ana e trupit gjykues për të pranuar kërkesën e mbrojtjes që të vihej në dispozicion i plotë procesverbali i deklarimeve të një tjetër të penduari, Erion Alibej, nga viti 2022.

Avokatët e Henrik Hoxhajt dhe Altin Ndocit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese, duke i cilësuar anëtarët e saj si të njëanshëm. Situata në sallën e gjyqit precipitoi më tej kur prokurori Behar Dibra ndërhyri me tone të ashpra.

“A mund ta ndërprisni se nuk do të dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti!”, u shpreh prokurori Dibra, duke iu drejtuar avokatit Gentian Rumano, i cili këmbëngulte në kërkesën për përjashtim të trupës gjykuese.

Rumano reagoi menjëherë, duke theksuar: “Ju sapo konsumuat një vepër penale”. Më pas ai braktisi sallën, ndërsa gjykata ndërhyri për të qetësuar situatën.

Për shkak të mungesës së mbrojtësit ligjor për të pandehurin Henrik Hoxhaj, seanca u ndërpre dhe u shty për ditën e martë.