Kthim në “shtëpi”, portierin e Kombëtares e pret klubi ku filloi gjithçka në Itali

Elhan Kastrati është një prej futbollistëve të Kombëtares shqiptare që janë në kërkim të një destinacioni ët ri për vijimin e karrierës së tyre. Gardiani kuqezi sapo është larguar nga Çitadela, pasi ka mbyllur aventurën pesëvjeçare me këtë klub i cili ra në Serinë C.

Për Kastratin kanë dalë në skenë shumë hipoteza, por mediat italiane insistojnë se për të është më pranë një kthim në “shtëpi”. Ai pritet t’i bashkohet klubit të Peskarës, të cilin e njeh shumë mirë pasi ka luajtur disa vite me të si në nivel të rinjsh, ashtu edhe me ekipin e parë.

Në fakt Kastrati zhvilloi atje dy sezone në akademinë e klubit, pas largimit të tij nga Shqipëria në vitet 2014-2016, për të kaluar më pas te ekipi i parë ku luajti disa ndeshje deri në vitin 2020 kur u largua përfundimisht nga kjo skuadër. Me kthimin e Peskarës në Serinë B, për të është rishfaqur mundësia që të veshë përsëri fanellën e klubit të njohur italian i cili është në kërkim të një portieri cilësor për edicionin e ri.