Aksioni në Theth, Rama: Bum ndërtimesh pa leje para e gjatë zgjedhjeve të 11 majit

Gjatë takimit që po zhvillohet këtë të premte në Durrës me kryetarët e bashkive, kryeministri Edi Rama ka folur për aksionin në Theth, duke sqaruar ngjarjet që çuan në vendimin e IKMT-së për heqjen e objekteve të ndërtuara pa leje.

Sipas Ramës, në Theth ka pasur një bum ndërtimesh para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit 2025.

“Policia ka bërë 40 denoncime në Prokurori për këto ndërtime”, tha Rama

Ai theksoi se, në një rast, nuk ishte ndërtuar vetëm një objekt por një fshat turistik i tërë në mes të Thethit.

“Për këtë çështje, Prokuroria, përkatësisht një prokurore me mbiemrin Gjeli, ka vendosur mosfillimin e hetimeve, duke refuzuar të trajtojë rastin dhe duke bërë një analizë mbi pafajësinë e ndërtimit pa leje”, tha ai.

Kryeministri Rama theksoi se ndërtimi pa leje në Republikën e Shqipërisë është vepër penale, dhe në një zonë të mbrojtur si Thethi, kjo është një vepër edhe më e rëndë penalisht.

Gjithashtu, Rama vuri në dukje mungesën e efektshme të Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit, duke përmendur si shembull kryeqytetin Tiranë, ku problemi i ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave është i madh ndërsa theksoi se edhe policitë bashkiake përbëjnë struktura problematike në këtë drejtim.