Pikëllimi për ndarjen nga jeta të Diogo Jotës mbetet e thellë dhe në Spanjë po zhvillohen hetime për shkakun e aksidentit, që i mori jetën atij dhe të vëllait. Policia beson se aksidenti u shkaktua nga Lamborgini Hurakan, me të cilin po ecnin shumë shpejt (120 km/orë) dhe nga një gomë e shpërthyer, e cila bëri që makina të rrëshqiste nga rruga.
Hetimet janë ende duke vazhduar, por vendimi fillestar i raportit të ekspertizës së “Guardia Civil”, i arritur pas gjetjeve të policisë mjeko-ligjore, u kundërshtua kategorikisht nga dy dëshmitarë të pranishëm në vendngjarje.
I pari ishte shoferi i kamionit që regjistroi videon, që qarkullon në mediat sociale, duke treguar makinën e dy futbollistëve në flakë në anë të rrugës: “Kam ndërgjegje të pastër – tha Hozé Azevedo –. E di çfarë pashë. Ata kaluan pranë meje me qetësi, pa tejkaluar shpejtësinë. E dërgova vetë videon në CMTV, sepse kisha filluar të dëgjoja disa absurditete”.
Fjalët e burrit që po udhëtonte me autostradën A-52 atë natë u drejtohen edhe familjeve të viktimave: “Ju jap fjalën time: nuk po ecnin shpejt. Ishin shumë qetësisht, sepse unë kaloj në atë rrugë çdo ditë. E di si është ajo rrugë; është një rrugë që nuk ia vlen aspak… Është një rrugë e errët, por unë munda ta shihja qartë markën e makinës, ngjyrën e makinës, gjithçka. Pak më tej, për fat të keq, ndodhi ajo që ndodhi…”.
Ky version u konfirmua nga një shofer tjetër kamioni, Hozé Duarte, i cili i tha shtypit portugez se ishte dëshmitar dhe kishte filmuar aksidentin. Ai ishte përpjekur të shuante flakët, por u trishtua kur kuptoi se s’kishte asnjë shans të shpëtonte dy vëllezërit.