Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur për raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, ku ka rezultuar se Naim Murseli nuk ka të meta mendore.
Ai ka thënë se për familjen Ademaj kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë, por sipas Leonardit, ata kanë besuar se Naim Murseli një gjë të tillë po e bën vetëm për të zvarritur procesin gjyqësor dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
“Naimi këtë e kishte si kartë të fundit me të cilën mund ta zvarriste procesin gjyqësor. Po besoj se Prokuroria dhe Gjykata do ta marrin si të tillë këtë çështje dhe do të vazhdojnë me procesin, pa lejuar më që ai të zvarritet”, ka thënë ai.
Më herët, vëllai i Liridona Ademajt kishte deklaruar në studion e emisionit FIVE se porositësi dhe organizatori i kësaj vrasjeje është Naim Murseli.
Të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe sot:
“Po pra, Naim Murseli është organizatori i vrasjes, së bashku me Kushtrim Kokallën, ndërsa ekzekutori është Granit Plava. Të tre së bashku kanë ndërmarrë një veprimtari kriminale duke e vrarë Liridonën”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se presin që Gjykata të punojë drejtë dhe pa lejuar që të zvarritet më tej ky proces gjyqësor dhe se seanca për rastin e Liridonës do të mbahet të hënën e ardhshme.
‘’Për ne si familje dihet qartë se Lirodona nuk kthehet më dhe nëse dënimi është maksimal. Por ajo se çfarë duam ne është që këta të dënohen dhe të jepim një mësim për të gjithë ata të cilët tentojnë të bëjnë një diçka të tillë që të mos ja mësyjnë asaj rruge se me besim në drejtësi ata ta kryjnë këtë punë dhe të vendosen përballë sistemit të drejtësisë’’, ka thënë ai.