“Po flija kur erdhën duke bërtitur dilni jashtë”/ Turisti shqiptaro-britanik: Sendet e mia janë ende nën rrënoja

Një turist shqiptar i cili jeton në Angli, ka treguar përvojën e tij pasi u përball papritur me shembjen e ndërtesës ku po qëndronte prej tre javësh në Theth. Ai kishte rezervuar edhe një muaj tjetër qëndrimi, por u detyrua të largohej me urgjencë pa pasur mundësi të merrte as sendet personale.

“Po flija atje dhe ata erdhën duke bërtitur: ‘Dilni jashtë, dilni jashtë’. U thashë: ‘Çfarë po ndodh?’ dhe më thanë: ‘Kjo do të shembet’. U kërkova dokument apo shpjegim, por nuk më dhanë asgjë. Vetëm më thanë se do të shembet”, tha Kujtimi.

Ai tregoi se nuk iu lejua të merrte as pasaportën, e cila ndodhet tani nën rrënojat e godinës së shembur. Ai planifikon të shkojë në Ambasadën Britanike për ndihmë dhe ka dokumentuar ngjarjen me pamje filmike.

“Pasaporta ime ndodhet atje, gjithçka është atje. Nuk e di si do të vazhdojë. Do të shkoj drejt e te Ambasada Britanike. Kam filmuar çdo gjë dhe mendoj se do ta zgjidh vetë këtë problem, nëse më lejohet ta marr vetë pasaportën nga rrënojat. Shkoj në Egjipt, kudo që shkoj, të gjithë flasin për Shqipërinë, për Thethin, që të vijnë ta vizitojnë. Është një vend i bukur. E shikoni këtë njeri, të cilit policia i shembi ndërtesën? Janë njerëz shumë të mirë. Në vend që t’i sulmojë, ai u jep ujë policëve. Kjo tregon sa shumë po investon ky vend në çdo turist që vjen këtu”, tha ai.//OraNews