Situata e zjarreve në vend/ Ministria e Mbrojtjes raporton bilancin: 18 vatra, 2 janë aktive dhe 2 të tjera…

Situata paraqitet më problematike në disa rajone të jugut dhe veriut të vendit, ndërsa autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimin e tyre për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 18 vatra zjarri në disa bashki të vendit, duke përfshirë zona me rrezik të lartë përhapjeje. Aktualisht, 2 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Qarku Dibër

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Për shuarjen e tij u angazhuan 6 efektivë të MZSH Dibër, 5 forca pyojre, 20 forca bashkiake, 30 efektivë nga Forcat e Armatosura, dhe helikopteri Cougar. Si pasojë është përshkuar njësipërfaqe rreth 30 ha. Ditën e sotme po vazhdon puna me të njëjtat kapacitete nga forcat operacionale, për shuarjen e vatrës së zjarrit.

Qarku Tiranë

Në fshatin Zambish, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë, është punuar për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me dushqe. Gjatë ditës së djeshme zjarri ka marrë përmasa akoma dhe më të mëdha për shkak të erës dhe është përhapur edhe në fshatrat Berdal, Thartor dhe Moroj, duke rrezikuar banesat në disa momente. Në vendngjarje u angazhuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Rrogozhinë me 1 automjet zjarrfikës dhe 10 efektivë, 30 forca bashkiake, 20 forca vullnetare, si dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura. Ditën e sotme forcat operacionale po vazhdojnë punën në terren për fikjen përfundimtare të zjarrit.

Në monitorim:

Qarku Lezhë

Në kufirin midis fshatrave Skuraj dhe Gallatë, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin. Në vendngjarje u angazhuan25 forca bashkiake, 20 forca policore, 6 forca nga Shërbimi Pyjor, 3 forca vullnetare dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, bënë krehjen e zonës. Terreni është i pjerrët dhe me shkurre. Vatra mbetet nën monitorimin e strukturave vendore. Sipërfaqa e djegur është rreth 23 ha.

Qarku Elbasan

Në vendin e quajtur “Mal Plak”, njësia Administrative Polis, bashkia Librazhd, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit tërënë në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje u angazhuan Shërbimi vendor i MZSH Librazhd me 1 automjet zjarrfikëse dhe 8 efektivë, 3 inspektorë të pyjeve si edhe 10 forca vullnetare, të cilët punuan deri vonë për vënien nën kontroll të vatrës . Zjarri ka intesitet të ulët dhe vatra mbetet nën monitorimin e strukturave vendore.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 79 hektarë. Në një rast, në fshatin Tarazh, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë zjarri ka rënë zjarr në një shtëpi private. Si pasojë, u dogj kuzhina dhe salloni i shtëpisë. Shkaku i rënies së zjarrit është i panjohur.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 26 automjete zjarrfikëse dhe 268 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 60 efektivë dhe 2 helikopterë Cougar.