Detaje nga ngjarja në Vlorë/ 17-vjeçarja tentoi t’i japë fund jetës pasi babai i kërkoi të jetonte me…

Zbardhen detaje të reja tronditëse nga ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e sotme në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, ku një vajzë 17-vjeçare mbeti e plagosur rëndë nga një e shtënë me armë zjarri në banesën e saj.

Raportohet se e mitura jetonte me gjyshërit, ndërsa prindërit e saj janë të divorcuar. Mësohet se babai, i cili jeton me bashkëshorten e re në një fshat pranë Vlorës, kishte kërkuar që vajza të transferohej dhe të jetonte me të. Kjo besohet se ka shkaktuar tension dhe kundërshtim nga ana e të resë, e cila në gjendje të rënduar psikologjike ka marrë një armë zjarri dhe ka tentuar t’i japë fund jetës, duke e qëlluar veten me pistoletë.

Menjëherë pas ngjarjes, 17-vjeçarja është transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Vlorës, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, Policia ka shoqëruar babain e saj për marrjen e dëshmisë dhe për të hedhur dritë mbi rrethanat që çuan në këtë akt ekstrem.