Tentoi të vriste 40-vjeçarin në Korçë, arrestohet në Greqi autori. Pritet ekstradimi

Një 39-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje, është arrestuar në Greqi në kuadër të operacionit të përbashkët “The Wanted”.

Policia e Shtetit bën të ditur se falë bashkëpunimit me autoritetet greke dhe shkëmbimit të informacionit përmes Interpol Tirana dhe Interpol Athina, është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit Deni Mecolli alias Denis Mecolli, i cili ishte në arrati që prej muajit shkurt.

Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i kishte caktuar 39-vjeçarit masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur më 4 shkurt 2025, kur 39-vjeçari dyshohet se ka tentuar të vrasë me thikë një shtetas 40-vjeçar, me inicialet E. Sh., në qytetin e Korçës.

Procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë janë duke u ndjekur nga Interpol Tirana dhe Interpol Athina.