Ristrukturimi i administratave në bashkitë e vendit po hyn në një fazë intensive, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për rifreskimin e stafit drejtues në nivel vendor.
Gjatë paradites së kësaj të marte në Bashkinë Belsh, kanë dhënë dorëheqje një sërë administratorësh dhe drejtorësh lokalë duke i hapur rrugë një faze të re të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj mbi bazën e meritës dhe performancës.
Ndërkohë, në Bashkinë Prrenjas, tre administratorë kanë dhënë dorëheqjen që ditën e djeshme, ndërsa aktualisht po kryhet një vlerësim i thelluar i performancës për drejtorët që vijojnë detyrën, raporton gazetari i News 24, Fatmir Popja.
E njëjta situatë është shënuar edhe në bashkitë Peqin, Cërrik dhe Gramsh, ku procesi i dorëheqjeve dhe vlerësimeve është në zhvillim e sipër.
Në Librazhd dhe Elbasan, vala e dorëheqjeve masive është shënuar që ditën e hënë.
Ky proces pritet të shtrihet më tej në kuadër të një reforme që synon të rrisë cilësinë e shërbimeve publike dhe të rrisë përgjegjshmërinë në drejtimin lokal.
Qeveria ka paralajmëruar përzgjedhje më transparente dhe me fokus tek qytetari duke i dhënë fund, sipas saj, “automatikës së zyrave” dhe kthimit të institucioneve vendore në pika reale të shërbimit.
Ndërkohë në disa bashki të Qarkut Elbasan ka ende disa drejtorë që nuk e kanë paraqitur dorëheqjen.