Një “Honda” dhe një “Range Rover” e ndoqën nga pas, zbulohet itinerari i autorëve që vranë Renis Dobrën! Të dyshuarit i hodhën targave solucion për të…

Vdekja e Renis Dobrës ka ardhur si pasojë e shtrëngimit me anë të një laku, apo ndryshe strangulimi. Ky është përfundimi që kanë nxjerrë ekspertët e mjekësisë ligjore në aktekspertizën e tyre paraprake ku e përcaktojnë vdekjen si rezultat i asfiksisë mekanike.

Që do të thotë se vdekja e Renis Dobrës ka ardhur si pasojë e shtrëngimit me anë të një laku, apo ndryshe strangulimi.

Emisioni ‘Në Shënjestër’ në News24, transmetoi pamje ku vërehen lëvizjet që bënë makinat e autorëve para se të mbërrinin pranë Kroit të Suçit, aty ku ndaluan automjetin e Renis Dobrës.

Sipas hetimeve të deritanishme, itinerari i automjeteve të autorëve fillimisht pikaset në Unazën e qytetit të Burrelit, nga ku më pas kanë hyrë në rrugën e vjetër që lidh këtë qytet me Milotin, apo rrugën e Kombit.

“Bazuar në kqyrjen e kamerave të sigurisë rezulton se autorët e dyshuar të rrëmbimit të 23-vjeçarit, Renis Dobra, kanë lëvizur në Unazën e qytetit të Burrelit dhe më pas kanë hyrë në rrugën e vjetër drejt Shkopetit”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ky mund të ketë qenë itinerari i kthimit të autorëve, pasi kanë rrëmbyer Renis Dobrën, duke pasur parasysh se Kroi i Suçit, ndodhet në dalje të qytetit të Burrelit, në aksin që lidh qytetin me atë të Klosit.

Çka të lë të mendosh se ndërkohë rrëmbimi kishte ndodhur dhe makinat tashmë po i drejtoheshin rrugës së vjetër, një pjesë e cila kalon anë liqenit të Shkopetit. Ashtu sikurse policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga fshati Zenisht deri në hyrje të Burrelit.

Aty ku nga pamjet filmike dallohet se në rrugën e vjetër Burrel-Tiranë kanë qarkulluar me shpejtësi njëri pas tjetrit dy automjete. Automjeti i parë që dyshohet se drejtohej nga viktima. Ndërsa autorët e vrasjes e kanë ndjekur nga pas dhe i kanë zënë pritë, duke e ndaluar në rrugë, ku dyshohet se autorët kanë hapur me forcë automjetin e të riut dhe e kanë dhunuar brenda tij.

Ndërkohë fakti që makina e autorëve nuk u ka pa në kthim në këtë aks të lë të dyshosh se itinerari i tyre mund të ketë vazhduar në rrugën e Kombit, ku edhe kanë humbur gjurmët.

Por ajo që kanë vënë re hetuesit, është se autorët kanë qenë të kujdesur për të ruajtur çdo detaj që mund t’i identifikonte në sytë e policisë. Siç është edhe fakti që ata kanë mundur të fshehin targat e tyre. Çka tregon se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar dhe aspak e rastësishme.

Dhe se rrëmbimi i Renis Dobrës ka qenë i menduar në çdo detaj dhe jo një punë apo plan i cili mund t’u ketë dalë duarsh. Siç edhe ndodhi në vazhdim ku ata e hodhën trupin në Liqenin e Shkopetit.

“Hetuesit kanë dyshimet e tyre se autorët u kanë hedhur targave të automjeteve një solucion, kjo me qëllim për të mos i bërë të dallueshëm numrat. Ashtu siç në të vërtetë ka ndodhur, pasi numrat nuk dallohen, por duken në ngjyrë gri”, thuhet në dosjen hetimore.

Në lidhje me automjetet e përdorura, ekspertët thonë se ato kanë qenë dy të tilla. Përkatësisht një automjet ‘Honda’ ngjyrë i bardhë dhe një tjetër ‘Range Rover’, ngjyrë e e zezë.