Gjykata e Vlorës ka shpallur të pafajshëm pesë efektivët e policisë të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen tragjike ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.
Prokurorja ka kërkuar dënimin e secilit prej tyre me nga 1 vit e 6 muaj burg, por Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë i shpalli të gjithë të pafajshëm.
Gjithashtu gjyshi i së ndjerës, Ismet Avdiaj, mbajti fjalën e tij në sallën e gjyqit.
Pas përfundimit të seancës, ai u shpreh për mediat se ndjehet thellësisht i zhgënjyer nga drejtësia.
Ai gjithashtu tha se të gjitha pretendimet që ai paraqiti gjatë procesit nuk u morën parasysh, dhe vendimi i gjykatës për të shpallur të pafajshëm efektivët e akuzuar është zhgënjyes dhe i padrejtë.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Më 3 gusht 2022 komisari i Policisë, Arjan Tase përplasi në plazhi e Potamit për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdiu.
Efektivi futi gomonen në hapësirën e rrethuar për pushuesit me bova plastike.
Ai kreu manovrime të rrezikshme dhe 15 metra larg bregut goditi me pjesën e prapme të mjetit lundrues, Jonada Avdiun duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.
Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja jetonte në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushimet e verës.
Ata zgjodhën pikërisht plazhin e Potamit, vend që u kthye në makthin e tyre më të madh, pasi Jonada e vogël u përplas për vdekje nga skafi i Tases.