Milionat e groposura të Escobarit, Artan Hoxha: Pasuria e tij “fle” ende nën tokë

Ai filloi si kontrabandist i zakonshëm, por shumë shpejt u kthye në njeriun më të kërkuar në planet. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Artan Hoxha rrëfen se si Pablo Escobar, karteli më famëkeq i drogës në botë, ndërtoi perandorinë e tij duke shfrytëzuar linjat e kontrabandës dhe më pas, me miliarda dollarë të nxjerrë nga tregu amerikan i kokainës, dominoi sistemin bankar nga Panama deri në Zvicër. Paratë ishin aq të shumta sa nuk dinte më ku t’i fuste, ndaj filloi t’i groposë.

Por pasuria e fshehur, e cila edhe sot gjendet nën tokë, u kthye në “barrë”, kur Escobar mbeti pa akses te fondet e tij, i mbyllur me shoferin në një shtëpi, nuk mund të tërhiqte asnjë dollar. Jo sepse nuk i kishte, por sepse askush nuk dinte më ku ishin fshehur.

Ai kishte hartuar një plan, kishte bërë harta… por më pas vrau edhe ata që e ndihmuan t’i groposë. Dhe kështu, pasuria e tij u kthye në legjendë.

“Escobar e nisi trafikun e drogës duke shfrytëzuar linjat e kontrabandës. Me kalimin e kohës kur ishte në kulmin e vet, ai u kthye në një problem shumë të madh, sepse me sasinë e madhe të parave dhe sidomos të dollarit amerikan që nxori nga SHBA-të, aty janë sekuestruar miliarda dollarë të karteleve të vendosura në bankat e Panamasë.

Ai investoi në Europë deri tek bankat zvicerane, sasia e tij e parave u bë kaq e madhe saqë ai nuk dinte se ku ta fuste dhe e groposte. Prandaj dhe sot atje gjenden sasi të mëdha parash, nga pese-dhjetë milionë dollarë, gjenden sot e kësaj dite. Sepse pasi i groposi ai bëri edhe një hartë dhe më pas vrau edhe njerëzit me të cilët i groposi dhe nuk e dinin njerëzit ekzaktësisht se ku ishin paratë. Kur, ngeli tek shtëpia pa para me shoferin, nuk mund që t’i tërhiqte dot, sepse nuk mund të merrte ato para të cilat ishin groposur. Jo se nuk i kishte, por ia prenë të gjitha burimet”, tha Artan Hoxha./tvklan.al