Dy automjete janë përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në një lagje periferike të qytetit të Korçës, në afërsi të kryqëzimit të njohur si “1 Maji”. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të një pallati, ku mjetet ndodheshin të parkuara.
Si pasojë e zjarrit, një prej automjeteve është djegur plotësisht, ndërsa tjetri ka pësuar dëme të konsiderueshme. Të dy mjetet janë në pronësi të banorëve të të njëjtit pallat.
Burime të sigurta konfirmojnë se automjeti që është shkrumbuar tërësisht ka qenë i pajisur me impiant gazi, çka ka rritur edhe më shumë rrezikshmërinë e flakëve.
Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Deri më tani, nuk ka ende një version zyrtar mbi shkakun e zjarrit, dhe nuk dihet nëse bëhet fjalë për një zjarr të qëllimshëm apo një defekt.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkohë që hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet konkrete të incidentit.