Një sasi e vogël lënde plasëse ka shpërthyer në derën e një lokali në Rrugën e Durrësit, në orët e para të mëngjesit të kësaj të premeje. Ngjarja ka shkaktuar panik në zonë, por për fat nuk ka pasur të lënduar, ndërsa janë shënuar vetëm dëme materiale.
Lokali është në pronësi të shtetasit Arbër Sinani, i cili sipas burimeve ka deklaruar para oficerëve të policisë gjyqësore se “nuk ka konflikte me askënd”. Sinani, i cili ka jetuar për disa kohë në Gjermani, nuk rezulton person me precedent penal.
Policia e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve. Mes pistave që po verifikohen është edhe ajo e një konflikti të mundshëm të pronarit apo përfshirja në aktivitete të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës.
“Rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar,” njoftoi policia.
Grupi hetimor po vijon punën për kapjen e autorëve dhe sqarimin e plotë të motivit të shpërthimit.