Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte në Berat një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve, ku theksoi nevojën për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm mes qeverisë dhe sipërmarrësve që po kontribuojnë në transformimin dixhital të vendit.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te rëndësia e bashkëpunimit institucional me këtë sektor dhe propozoi ngritjen e një forumi të rregullt që do të mblidhet disa herë në vit për të ndarë ide, sfida dhe për të adresuar nevojat e tregut të inovacionit në Shqipëri.
“Unë mendoj që ja vlen që të kemi një këshill, një kuvend , një hapësirë, një forum, ku të mblidhemi të paktën tre herë në vit për të diskutuar çështjet dhe të rejat, qoftë për mirë qoftë për keq për zhvillimet. Do t’ju lutesha shumë që të na sugjeroni dhe që kur dikush këtu duhet të jetë se mungon. Ta bëjmë me tema dhe të ftuar. Qëllimi ynë është që t’ju vëmë në dispozicion qeverinë.”-tha Rama.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se përparimi në këtë fushë kërkon bashkëveprim të vazhdueshëm, veçanërisht në përdorimin e të dhënave, që ai i konsideroi thelbësore për prodhimin e zgjidhjeve teknologjike me ndikim real.
“Një nga gjërat kryesore sot dhe mundësi për të pasur produkt janë të dhënat dhe nëse duam progres duhet të kemi një ndërveprim. Për shembull me dikë prej jush këtu kemi parë një punë shumë të bukur për një produkt për jashtë vendit për parkimet dhe nëse ne bëjmë një produkt për parkimet në SHBA, është domethënëse por kjo është e nevojshme.”-vijoi Rama.
Rama tha nga ana tjetër se qeveria është e gatshme të bëhet partnere aktive në këtë proces dhe të mbështesë përmes mekanizmave që ka në dispozicion zhvillimin e mëtejshëm të kësaj “bote të re” që, sipas tij, po krijohet në Shqipëri.
“Nëse krijojmë sinergji duke u përpjekur të vëmë në dispozicion mjetet që kemi, atëherë patjetër që mund të krijojmë edhe më shumë hapësirë, edhe më shumë brumë për të pjekur në këtë furrë të re. Çka unë i kam kërkuar ministres për sipërmarrjen është që duke ftuar një numër prej jush, edhe duke përfshirë edhe një numër prej nesh, të kemi një ditë si kjo dhe të trajtojmë në mënyrë sa më shteruese problematikat e kësaj bote të re që është krijuar në vendin tonë, duke folur për kapitalin njerëzor dhe për përshtatjen e aftësive, duke folur për transformimin dixhital.”-tha Rama.