Njerëzit e Adriatik Lapajt kërcënojnë Endri Shabanin me “kokën” e dajos së tij, zbardhet audio-mesazhi…

Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani janë përfshirë në një përplasje të ashpër, me akuza të rëndë ndaj njëri-tjetrit, ku shkak u bë daja i këtij të fundit, Zeqir Kordhon, i cili kërkoi mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 Majit. Ai renditej i 9-ti në listën e mbyllur, por shanset për t’u futur në Kuvend pothuajse u zeruan edhe për të, pasi kandidatë të renditur sipër tij, nisur nga kjo situatë, po ashtu iu drejtuan KQZ për të revokuar dorëheqjet dhe për të marrë mandatin. Ndërkohë, ditën e djeshme, emisioni “Piranjat” ka publikuar një audio, ku një aktivist (kushëri) i Adriatik Lapajt kërcënon Endrit Shabanin dhe dajën e tij në telefon nga Kanadaja, teksa i konsideron si të pabesë. “O Endri më dëgjo, dole shumë i pabesë. Po ta thotë shoku jot këtu, dole shumë i pabesë. Do të kushtojë rëndë kjo! Do të kushtojë jashtë mase rëndë! Ne nuk do ta lëmë kurrë, po kurrë Adriatikun vetëm. Kurrë! Adriatiku ka mbrapa një ushtri të tërë. Dakord. Po Ti me ato në rrogozet e tua, bashkë me dajo p…motrën, që do ta gjej, s’ka ku në p… motre të vejë. Ke bërë gabim të rëndë shumë. Të futëm në gjirin tonë…Të futëm në gjirin tonë se besuam por dolët shumë të pabesë. Do shihemi së shpejti. Dajua s’ka ku në p …të motrës të futet njëherë. Dajoa do ta paguajë shtrenjë, do t’i q….! Do shikosh ti.”, thuhet në audion e publikuar.

Reagon Lapaj

Ndërkohë tre ditë më parë dhe vetë Shabani e paralajmëroi se daja i tij ishte kërcënuar, teksa akuzonte Lapajn se i kishte kërcënuar fëmijët. Por Shqipëria Bëhet është distancuar nga ky kërcënim. Në një reagim dje në rrjetet sociale, partia e Lapajt ka ngritur flamurin e paqes dhe kërkon që palët të ulen dhe të bisedojnë. “Në dritën e ngjarjeve të fundit dhe përmbajtjeve të publikuara në rrjet, dëshirojmë të sqarojmë se nuk përfaqësojmë dhe nuk mbështesim asnjë formë gjuhe fyese, kërcënuese apo të dhunshme që bie ndesh me vlerat tona. Ne u bëjmë thirrje të gjithë ndjekësve tanë, simpatizantëve, aktivistëve dhe anëtarëve të angazhuar me ne, të refuzojnë në çdo moment gjuhën e dhunës pavarësisht ngarkesës emocionale nga çdo padrejtësi”, thekson Shqipëria Bëhet. Më tej ka një ftesë për Shabanin dhe Sokon: “Nëse gabimi ynë është dorështrirja për bashkëpunim, mund të na gjykoni! Ne po kërkojmë thjesht që marrëveshja parazgjedhore të realizohet ashtu siç u dolëm qytetarëve në fushatë. Është pikërisht ajo pika që dëshmon qasjen tonë për garën. Theksojmë se ne nuk do të heqim dorë nga besimi që gara e ndershme është rruga e vetme për të rikthyer besimin në demokraci. Përtej çdo shantazhi e hileje, brenda e jashtë sistemit, ne do të qëndrojmë. Jemi në pritje të reflektimit dhe uljes për zgjidhje nga pala tjetër në Koalicion. Ne e konsiderojmë këtë një moment që duhet tejkaluar si detyrë ndaj zgjedhësve tanë. Jemi në pritje të Z.Shabani dhe Z.Soko për ta adresuar me maturi e të vazhdojmë punën për zgjedhjet vendore”.