Pamjet e publikuara nga një incident i ndodhur këtë të shtunë në Ksamil janë bërë virale, ndërsa ngjarja është paraqitur fillimisht si një akt dhune nga një qytetar ndaj një tjetri. Megjithatë, sipas informacioneve të reja, konflikti nuk ka qenë siç është raportuar më herët në media.
Sipas burimeve të Euronews Albania nga gazetari Algert Harrizi pranë lokalit ku ndodhi ngjarja, konflikti ka nisur kur shtetasi Albert Pashaj, pronar i një hoteli në zonë, së bashku me familjarë të tij, është paraqitur në ambientet e një bari në pronësi të Agim Tarajt. Në videon e siguruar nga kamerat e sigurisë, Pashaj shihet duke hedhur pije në tokë dhe duke fyer kamarierin.
Pas këtij veprimi, kamarieri ka reaguar duke e goditur fizikisht. Sipas të njëjtave burime, Pashaj ka dëmtuar ambientin dhe ka kërcënuar stafin e lokalit, çka ka sjellë përplasjen fizike. Agim Taraj, i cilësuar fillimisht si autor i dhunës, në fakt ka ndërhyrë pas këtij incidenti dhe ka reaguar ndaj provokimit.
Sipas njoftimit të Policië së Sarandës konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45. Deri më tani është shoqëruar një person, ndërsa vijojnë hetimet për të identifikuar të gjithë të përfshirët. Albert Pashaj është denoncuar për dëmtim prone dhe cenim të sigurisë së punonjësve të lokalit.