Skandali me mikrokreditë, SPAK çon në gjyq zyrtarët që zhytën në borxhe shqiptarët dhe çuan miliona euro në xhepat e…

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për dosjen mbi skandalin e mikrokredive dhe ka hedhur më tepër dritë lidhur me skemën e mashtrimit që ka funksionuar për mbi nëntë vite dhe ka rrënuar mijëra qytetarë shqiptarë, përmes një rrjeti kriminal ku bënin pjesë shoqëri financiare, përmbarimore dhe individë të lidhur mes tyre. Sipas të dhënave nga dosja hetimore e SPAK, skema ka sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, me përfitime të paligjshme që kapin shifra të “kripura”. Në përfundim të hetimeve janë siguruar të dhëna të sakta se të pandehurit Elda Ibro, Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Albert Gega, Olsi Ibro (i ndjeri), Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Yliana Sejfo, Indrit Çuberi, Rigels Bejko, Altin Vako, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Roland Deda, Endri Myftari, Personi juridik “Micro Credit Albania” sh.pk., Personi juridik “ADCA” sh.p.k., Personi juridik “Final” sh.p.k., “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group” kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikimit të dokumentave”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/3; 186/1; 186/3; 333/a dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal. Bëhet me dije se për të akuzuarit parashikohen mbi 10 vjet burg, sipas neneve të Kodit Penal.

Si nisi hetimi

Hetimet për këtë skemë mashtrimi nisën pas tre kallëzimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë përgjatë viteve 2018, 2020 dhe 2024. Në qendër të hetimeve janë shoqëritë Micro Credit Albania (MCA) dhe Final sh.p.k., të cilat, së bashku me përmbarues privatë dhe zyrat përkatëse, kanë ndërtuar një strukturë të përbashkët kriminale me qëllim përfitimin e paligjshëm nga qytetarët në vështirësi ekonomike. “Nga hetimet e zhvilluara deri në këto momente, në kuadër të këtij proçedimi penal (procedim i cili është bashkim edhe i shumë procedimeve të tjera penale) ka rezultuar e provuar se duke filluar nga viti 2015, shtetasit nën hetim (i ndjeri) Olsi Ibro, Elda Ibro (bashkëshortja e Olsi Ibro), Arben Meskuti, Indrit Çuberi (vëllai i bashkëjetueses së Arben Meskuti), Aldo Daka (ish punonjës i shoqërisë përmbarimore Zig në pronësi të Arben Meskutit), Albert Gega (ish punonjës i shoqërisë ZIG në pronësi të Arben Meskutit), Alban Kote (ish përmbarues i shoqërisë Zig në pronësi të Arben Meskuti), Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi dhe Roland Deda të gjithë ortakë apo administratorë të shoqërive tregtare të kallëzuara nga Ministria e Drejtësisë (të cilat de jure kanë qënë të ndara por de facto kanë vepruar si një e vetme), të ndihmuar në veprimtarinë e tyre, nga vitit 2021 e në vijim nga përmbaruesit- Fatos Alimadhi, Helidon Xhindi, Lefter Canaj, Rigels Bejko, Endri Myftari, Altin Vako, në bashkëpunim edhe me eksperten e vlerësimit të pasurive të paluajtshme Yliana Sejfo, kanë krijuar se bashku një grup të strukturuar kriminal, veprimtaria e të cilit ka pasur si qëllim zhvatjen e pasurisë së qytetarëve të cilët ishin debitorë në vonesë, detyrimet e të cilëve u blenë nga bankat e nivelit të dytë nga shoqëritë MCA sh.p.k, shoqëri në pronësi të shtetases nën hetim Elda Ibro dhe Final sh.p.k – shoqëri në pronësi të shtetasit nën hetim Arben Meskuti. Shtetasit e sipërcituar rezultojnë të jenë themelues, ortakë apo administratorë të disa shoqërive tregtare, të cila kategorizohen si: Shoqëri të licencuara si institucione financiare jo banka (Micro Credit Albania sh.a /sh.p.k (MCA) dhe Final sh.p.k); Shoqëri përmbarimore (Zig, FS, Flash, TDR, LDC) apo përmbarues persona fizikë; Zyra avokatore / ose zyra me veprimtari “gjerimi i punëve të tjerëve” (shoqëria ADCA dhe Personi Fizik Alban Kote). Nga hetimi ka rezultuar se, shoqëritë e sipërcituara kanë vepruar si shoqëri e vetme që ka karakteristika të qarta të një grupi të strukturuar kriminal2, veprimtaria e të cilit është drejtuar nga shtetasit Olsi Ibro, Elda Ibro dhe Arben Meskuti”, thuhet në dosjen e SPAK.

Skema

Sipas Prokurorisë së Posaçme, skema nisi me blerjen e kredive të këqija nga bankat, të cilat më pas shumëfishoheshin përmes ristrukrimeve fiktive, tarifave të fryra dhe kamatave të paligjshme që shkonin deri në 2% në ditë. Qytetarëve u komunikoheshin këto shumat e borxheve dhe përmes presionit ,kërcënimeve, sekuestrimeve detyroheshin që të firmosnin kontrata reja apo të shisnin pasuritë e tyre. Në shumë raste, pasuritë e paluajtshme të qytetarëve, apartamente, toka, shtëpi, u kaluan në pronësi të MCA dhe Final përmes ankandeve të dyshuara si fiktive, pa dijeninë e pronarëve. Vetëm në vitin 2023, mbi 1700 prona rezultojnë të kenë kaluar në këtë mënyrë në pronësi të këtyre dy shoqërive. Ndërkohë që vlen të theksohet se gjatë hetimeve është provuar se veprimtaria kriminale vijonte edhe pas sekuestrimit dhe shitjes së pronës. Qytetarët mbeteshin ende debitorë, llogaritë bankare vazhdonin të ishin të sekuestruara dhe veprimet përmbarimore nuk ndaleshin. Në një rast konkret, një qytetari në Vlorë, për një borxh prej vetëm 88,000 lekësh, i është sekuestruar një truall dhe ndërtesë trekatëshe vetëm 300 metra nga deti. Në krye të kësaj skeme, sipas SPAK, qëndrojnë Olsi Ibro, 45-vjeçari i cili në korrik të vitit të kaluar ndërmori aktin ekstrem duke konsumuar fostoksinë dhe më pas duke u hedhur nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë ku dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Gjithashtu, pjesë e kësaj skeme ka qenë edhe bashkëshortja e tij, Elda Ibro si dhe Arben Meskuti. Përmes një rrjeti të shtrirë shoqërish, përmbaruesish dhe ekspertësh, ata kanë ndërtuar një strukturë që ka vepruar si një entitet i vetëm. Disa nga përfitimet e evidentuara janë: -Elda Ibro – 865 milion lekë (rreth 8.6 milion euro) -Arben Meskuti – 145 milion lekë -ADCA sh.p.k. – 380 milion lekë -Avokati Alban Kote – 124 milion lekë -Ekspertja Yliana Sejfo – 48 milion lekë -Shërbimet përmbarimore STAR & Flash – mbi 70 milion lekë -Përmbarues si Rigel Bejko, Altin Vako, Fatos Alimadhi, e të tjerë – miliona lekë përfitime

Detajet

Gjithashtu, ndër rreshtat e kësaj dosje theksohet se nga shtetasit e lartpërmendur janë përdorur në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të qytetarëve dhe familjarëve të tyre, ëprfshirë numrat e telefonit dhe të dhëna të gjendjes civile, me qëllim për të ushtruar presionit dhe për t’i futur në skemën e ristrukturimit të detyruar të borxhit. “Për realizimin e qëllimit kriminal, punonjësit e këtyre shoqërive të urdhëruar nga drejtuesit apo organizatorët e kësaj skeme, kryen qindra mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek debitorët dhe familjarët e tyre, dhjetëra – mijëra llogari bankare të qytetarëve u bllokuan dhe qëndruan të bllokuara në kundërshtim me ligjin për disa vite, mijëra pasuri të paluajtshme u sekuestruan për vlera detyrimi minimale dhe rreth 1700 prona u kaluan në pronësi të shoqërive MCА dhe Final me ankande fiktive. Pasojat e kundraligjshme ekonomike nga kjo veprimtari përllogaritet në miliona Euro, por veprimtaria kriminale e këtij grupi të strukturuar kriminal (apo organizatë kriminale), ka shkaktuar edhe pasoja shumë të rënda sociale. Më konkretisht: Të dhënat personale të mbledhura në mënyrë të paligjshme, numrat e telefonit (të debitorëve apo të familjarëve të tyre) të dhëna të gjendjes civile, të dhëna mbi punësimin etj., janë gjetur dhe përdorur në mënyrë abuzive nga rrethi i subjekteve të kallëzuar, konkretisht nga punonjësit dhe drejtuesit e shoqërive Micro Credit Albania, ADCA, Final; Qytetarët janë ankuar se para sekuestrimit të llogarive të tyre bankare apo pasurive, ata dhe gjithë”, thuhet ndër të tjera në dosje.