Konfirmohet zyrtarisht, SPAK po i bën gati letrat Vilma Nushit të “Check Up”, si u vodhën miliona euro para publike…

Dosja për koncesionin e famshëm të “Check Up”-it, i cili u kthye në simbolin më të ndjeshëm të abuzimit me fondet publike në shëndetësi, po ecën me hapa të sigurt drejt drejtësisë. Pas viteve të denoncimeve të vazhdueshme dhe akuzave publike, SPAK ka regjistruar zyrtarisht procedimin penal, ku emri i Vilma Nushit, biznesmenes së njohur me lidhje të forta politike, është në qendër të hetimit për skemën e dyshuar kriminale që përfshin edhe zyrtarë të lartë qeveritarë. Kjo u konfirmua dje në seancën e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si rezultat i kallëzimit penal të bërë nga Albana Vokshi.

Debati në gjykatë

Ditën e djeshme, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli të pafajshme Albana Vokshin, e cila u padit për shpifje në SPAK nga biznesmenia Vilma Nushi. Avokatët e Nushit kërkuan që Vokshi të deklarohej fajtore për shpifje, duke theksuar se: “E akuzuara të deklarohet fajtore për shpifje, e akuzuara ka qenë kryetare e komisionit hetimor, nuk ka zbatuar ligjin konkret, ju dorëzojmë dhe praktiken e GJDNJ që duhet ndarë opinioni si deputet dhe fakti, e akuzuara ka fyer dhe shpifur, ka konsumuar elementet, provuam që në komunikimet që kemi patur me komisionin kemi dorëzuar prova dhe dokumentacione por nuk janë marrë parasysh, të gjitha ato që janë thënë nga e akuzuara 100-120 milionë euro apo 5-6 milionë euro TVSH rezultuan të pavërteta, apo çështjet off shore dhe lidhjet e Vilma Nushit me Edi Ramën e akuzuara nuk mundi të sjellë asnjë provë në këtë proces, pra mbetet një shpifje, lidhur dhe me laboratorët deklarimet e të akuzuarës dolën që janë të pavërteta.” Në përgjigje, mbrojtja e deputetes Vokshi theksoi se pretendimet e akuzës nuk qëndrojnë dhe se qëndrimet e Vokshit janë në përputhje me ligjin dhe interesin publik: “Deklaratat e zonjës Vokshi janë politike në ushtrim të detyrës së saj si deputete në interes publik. Zonja Vokshi është bazuar edhe tek të dhënat e hapura, raportimet në media, kontrata koncesionare, raportet e KLSH etj. Gjykata duhet të vendosë rrëzimin e padisë.”

Dokumentet

Në fjalën e saj para gjykatës, Vokshi tha se lufta kundër skemave abuzive në shëndetësi ka qenë një angazhim i vazhdueshëm dhe i përkushtuar: “Kam folur për dy shërbime si check up-i dhe sterilizimi. Edhe pse kishim pengesa kemi vijuar me përpjekjet për interesin publik. Kishim për detyrë evidentimin e personave përgjegjës, deputetët e mazhorancës na penguan, nuk miratuam dot disa akte ligjore për ndryshimin e legjislacionit për koncesionet abuzive. Sa i takon check up-it kam sjellë dokumente që vërtetojnë ato që unë kam thënë, apo nga dëshmitë e mjekëve, qendrave shëndetësore, ku rezulton se nuk kanë përfituar qytetarët përkundrazi. Nuk është punë tek disa fjali që janë shkëputur nga konteksti dhe janë sjellë këtu.” Vokshi gjithashtu theksoi natyrën klienteliste të skemës së check up-it. “Check up-i u hartua në mënyrë klienteliste për interes të privatit, këto i kam evidentuar në të gjitha ditët e komisionit hetimor por edhe në punën time të përditshme 10 vjeçare, se kam patur personale por për interesin e publikut. Madje e kam kallëzuar edhe në SPAK ku kam dhënë edhe shpjegime duke dëshmuar. I kam vënë në dispozicionin SPAK-ut edhe dokumente. Qëllimi im është që ata që bëjnë biznes në kurriz të qytetarëve shqiptarë të përgjigjen para ligjit. Check up-in e ka denoncuar dhe Partia Demokratike ku unë aderoj,” tha ajo.

SPAK konfirmon procedimin penal bazuar në kallëzimin e Vokshit

Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, bëri një konfirmim të rëndësishëm në seancën e GJKKO-së, duke bërë të qartë se kallëzimi i Vokshit ka çuar në hapjen zyrtare të një procedimi penal: “Nga aktet e administruara për këtë proces, konkludojmë se deklarata është bërë në kuadër të komisionit hetimor. Albana Vokshi ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme, dhe mbi bazën e këtij kallëzimi është regjistruar edhe procedim penal. Nuk provohet që Vokshi të ketë konsumuar elementët e veprës penale dhe kërkojmë të shpallet e pafajshme për shpifje në dëm të Vilma Nushit.”

Raporti i KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konfirmuar përmes disa raporteve dhe raportimeve në Kuvend se koncensionari i Check up-it ka përvetësua rreth 4 milionë euro para publike për shërbime të pakryera. Dëmi ekonomik u deklarua dhe në fundit në korrik të vitit 2024, në mbledhjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, nga audituesja e KLSH, Selime Bregu, e cila tha se këto shifra rezultojnë të kenë rritur fitimin e kompanisë koncesionare deri në 32%. Dyshohet se paratë kanë shkuar në xhepat e biznesmenes Vilma Nushi. Jo vetëm kaq. Por, KLSH ka zbuluar se vetëm gjatë një viti, Vilma Nushi ka përfituar në mënyrë të padrejtë edhe 2.3 milionë dollarë TVSH të rimbursueshme. Edhe kjo vjedhje është zbuluar dhe faktuar nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa mësohet se pagesa është bërë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas KLSH-së, kthimi i parave te kompania e Vilma Nushit është bërë në mënyrë të padrejtë. Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në FSDKSH për vitin 2022. Nga auditimi i veprimtarisë është konstatuar se FSDKSH nën drejtimin e Albana Adhamit dhe Ogerta Manastirlit kanë paguar me para publike Vilma Nushin për 20 172 analiza të pakryera. Raportet e KLSH-së hedhin dyshime se skema e vjedhjes së parave publike nga Vilma Nushi ka vijuar nga viti 2015 deri në vitin 2022.