Qeveria hap rrugën për një tjetër proces rivlerësimi të pasurive të paluajtshme. Nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësinë të rivlerësojnë pronat e tyre, duke i përafruar me çmimet reale të tregut.
Kjo nismë e re synon të rrisë transparencën në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, pa rritur normat tatimore ekzistuese. Ndryshe nga herët e mëparshme, ku norma e tatimit mbi rivlerësimin varionte nga 1 deri në 3 për qind, këtë herë tatimi do të jetë 5 për qind mbi diferencën e vlerës. Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.
Pas më shumë se tre vitesh nga skema e fundit e rivlerësimit, ligji i ri vjen në një kohë kur çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm në gjithë territorin. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024, çmimet e banesave janë rritur me 16.9%, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë u regjistrua një tjetër rritje me 23.6%. Një prirje që dëshmon për nevojën urgjente të përditësimit të vlerës reale të pronës në dokumente zyrtare.
Udhëzimet konkrete për zbatimin e procesit pritet të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përmes një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Kadastrës.
PROJEKTLIGJI
Rivlerësimi është procesi përmes të cilit pronarët mund të ndryshojnë vlerën e regjistruar të pasurisë së tyre të paluajtshme (si banesa, truall apo objekte të tjera), duke e përafruar me vlerën aktuale të tregut. Kjo vlen si për individët, ashtu edhe për subjektet juridike.
Kur vlera e pronës regjistrohet më afër çmimit real të tregut, përfitimet janë të shumëfishta: Shmangia e tatimeve të larta në të ardhmen gjatë shitjes së pronës (tatimi mbi fitimin llogaritet mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të regjistruar); Formalizimi i transaksioneve – pasi zhduket tundimi për të regjistruar çmime fiktive më të ulëta; më shumë siguri më e madhe ligjore dhe financiare, përfshirë edhe mundësi më reale për të përdorur pronën si kolateral për kredi si dhe përfitime për trashëgimi apo dhurim, pasi vlera reale e pasurisë shmang debatet apo pasigurinë midis palëve.
TATIMI 5%
Ligji i propozuar për vitin 2026 parashikon një tatim prej 5% mbi diferencën e vlerës mes vlerës së vjetër dhe asaj të re të përcaktuar nga eksperti i licencuar. Kjo normë është më e lartë se skemat e mëparshme (ku norma luhatej nga 1% në vitin 2011, në 3% në 2020-2022), por mbetet dukshëm më e ulët se tatimi që një qytetar do të paguante nëse do të shiste pronën pa e rivlerësuar më parë.Ky është edhe motivi kryesor që e bën rivlerësimin një zgjedhje të mençur për qytetarët që kanë ndërmend ta shesin pronën në të ardhmen e afërt ose që duan ta kenë të rregulluar vlerën e pasurisë sipas tregut. Ligji përfshin: Individët që zotërojnë pasuri të paluajtshme të regjistruar, por me vlerë më të ulët se tregu; Personat juridikë, të cilët do të kenë të drejtë të rivlerësojnë pasuritë që mbajnë në pasqyrat financiare, për qëllime kontabiliteti dhe fiskale; Qytetarët që kanë pasuri në proces regjistrimi, përfshirë ato që janë legalizuar dhe janë ende në kalim formal. Në të gjitha rastet, pagesa e tatimit do të bëhet vetëm mbi diferencën, pra mbi sa është rritur vlera e pasurisë pas rivlerësimit.
Procesi i rivlerësimit do të kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Do të ketë një udhëzim të detajuar të përbashkët që do të saktësojë hapat, formularët standardë dhe tarifat përkatëse për shërbimin. Pronarët do të duhet të paraqesin kërkesën pranë ASHK-së dhe të lidhin kontratë me një ekspert të licencuar për të përcaktuar vlerën e re. Vetëm mbi këtë vlerësim do të aplikohet tatimi 5%.
/Gazeta Panorama