A kanë qenë këto vajza të dhunuara? Psikologia sjell një këndveshtrim tjetër të vrasjes në Fier

Emanilda Rama nga fshati Frashër i Fierit vrau babain duke e masakruar, tentoi të fshehë krimin dhe pas arrestimit nuk shprehu pendesë.

Ngjarja duket mjaft e ngjashme me atë të një viti më parë në Shën Vlash të Durrësit, ku tre fëmijë, mes tyre Hygerta Meta, 19 vjeç, vranë dhe groposën babain. Motivet e dhëna në polici për krimin në të dyja rastet janë të njëjtat: baballarët fajësoheshin për autoritetin e tyre ndaj fëmijëve.

Psikologia klinike dhe psikoterapistja Adelina Pjetra thotë se raste të tilla janë sinjal i një dëmtimi të thellë psikik.

“Aty ku shoqëria sheh krim, psikologjia sheh simptomë. Mund të tregojë traumë të hershme, patologjike, psikologjike, abuzim në çfarëdolloj forme. Kur vajza vret babain, ne shohim si ka qenë marrëdhënia. Rezulton se ka qenë problematike, me dhunë fizike e psikologjike të përsëritur, ndonjëherë edhe abuzim seksual. Autorja e krimit, që në këtë rast është dhe viktimë e dhunës, e sheh krimin si çlirim”, thotë psikologia.

Rastet e vrasjeve bëhen mediatike dhe njihen nga publiku, por psikologia thotë se për shkak të dhunës, qoftë edhe vetëm verbale, shumë fëmijë rriten me idenë për t’u bërë vrasës të prindërve.

“Kur ai fëmijë rritet duke dëgjuar ‘do të të vras’ në mënyrë të përsëritur, përjeton fillimisht frikë dhe ankth, pastaj urrejtje dhe thotë: ‘Të rritem, ta vras unë’. Babai shihet si armik”, shton psikologia.

Emanilda Rama dhe Hygerta Meta sot janë emra në dosje penale si autore vrasjesh, por motivet e këtij akti ekstrem ende janë të pasqaruara plotësisht. A kanë qenë këto vajza të dhunuara në ndonjë formë që ka prodhuar një urrejtje të madhe, apo është dështuar në formimin e tyre, që të vrasin prindin pa mëshirë?