EMRI/ Vuante nga një sëmundje e rëndë, ndahet nga jeta Ish-kryeministri shqiptar

Është ndarë nga jeta pas një sëmundje të gjatë e të pashërueshme në moshën 82-vjeçare, ish zv.kryeministri Abdyl Xhaja, një ndër personalitetet më të spikatura të ekonomisë dhe politikës shqiptare në dekadat e fundit të shekullit XX.

Gjatë gjithë jetës së tij, Xhaja la një gjurmë të thellë në zhvillimin industrial dhe energjetik të vendit, si dhe në skenën politike të viteve të tranzicionit.

I lindur më 13 mars 1943 në Elbasan, Abdyl Xhaja përfundoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke u diplomuar si ekonomist për industri. Fillimet e tij profesionale ishin të lidhura ngushtë me qytetin e lindjes, ku shërbeu si ekonomist në ndërmarrje të ndryshme industriale.

Në vitet që pasuan, ai do të angazhohej në një karrierë të gjatë në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku mbajti pozicione të rëndësishme drejtuese. Gjatë kësaj kohe, ai ishte gjithashtu pjesë e Komitetit Shtetëror të Statistikës dhe më vonë do të kalonte në nivelet qendrore të drejtimit të sektorit industrial në vend.

Me ndryshimet politike të fillimviteve ’90, Abdyl Xhaja u bë një figurë kyçe në qeverisjen e vendit, duke shërbyer si Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës, Zëvendëskryeministër dhe më pas Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës në disa qeveri gjatë viteve 1991–1997.

Si pjesë e Partisë Demokratike, ai u zgjodh deputet në vitin 1996 dhe ishte anëtar aktiv i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike. Pas vitit 1997, ndonëse jashtë jetës politike aktive, vijoi të kontribuonte në fushën e ekonomisë si këshilltar pranë unionit të investitorëve të huaj dhe më vonë pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Për kontributin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe promovimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë, Abdyl Xhaja është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i shtetit të Oklahomës në SHBA – një vlerësim i rrallë për një qytetar shqiptar.