Çlirim Dogani është 55-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor i Ermalinda Ramës në vrasjen e babait të saj, Anesti Rama, ngjarje e ndodhur mbërmjen e së mërkurës në fshatin Frashër të Fierit.
Çlirim Dogani, nga fshati fshatin Arapaj i Roskovecit, u vendos në pranga ditën e stome (26 Korrik) dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me 26-vjeçaren duke mbytur me tel Anesti Ramën.
Gjithashtu, sqaron policia, në krimin shokues janë përdorur edhe sende të forta dhe mjete prerëse.
“Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.
Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse”, informuan blutë.
Ndërkohë një ditë më parë (25 Korrik), në pranga është vendosur edhe bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama pasi akuzohet se ndihmoi të bijën të pastronte trupin e viktimës për të fshirë gjurmët e vrasjes.
“Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale në lidhje me këtë ngjarje të bashkëshortes së shtetasit A. R., shtetases V. R., 53 vjeçe, të shoqëruar në Polici menjëherë pas ngjarjes, informojmë se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçares, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”,”- informoi policia.
Vajza ka dëshmuar se i ati i saj ishte rrëzuar në banjë dhe se kishte ndërruar jetë, por kanë qenë mjekët që hodhën poshtë versionin e saj, në kontrollin e paraprak që i kanë bërë trupit të viktimës.
“Viktima i masakruar edhe në organet gjenitale”
Gazetari Poli Hoxha ndau detaje nga vrasja makabre e 56-vjeçarit Anesti Rama, ditën e zbulimit të krimit, më 24 Korrik.
I ftuar në emisionin ‘Log.’ në News24, gazetari tha se dyshohet se 26-vjeçarja ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë përveç së ëmës.
Sipas Hoxhës, 56-vjeçari është masakruar në organet gjenitale, përveç mbytjes me tel në grykë, çka ka bërë që policia të dyshojë se në vrasje mund të kenë marrë pjesë edhe autorë të tjerë, për të cilët po hetohet.
Poli Hoxha: Zakonisht këto lloj vrasjesh janë si pasojë e traumave dhe dramave brenda familjes. Me gjitha gjasat, nga elementet që kanë dalë deri tani, është pak shumë kështu, sepse fillimisht, vajza nuk e ka pranuar, pastaj më vonë para policisë ka thënë se nuk më linte të vishesha, të dilja dhe gjëra të tjera.
Por edhe këto që ka thënë, nga informacionet e fundit që kam unë, është vënë në dyshim dhe dyshohet se ka edhe bashkëpunëtorë, sepse nga këqyrja e trupit të viktimës, pasi e kanë larë dhe kanë dashur të heqin sa më shumë gjurmë. Duket se mund të ketë bashkëpunëtorë, por më kryesorja është se nuk është mbytur vetëm me telin në fyt, por është masakruar edhe nga organet gjenitale. Ky është elementi i ri që duket se i hap hetimet dhe që sjell një dramë të më thellë, një urrejtje e akumuluar.