Aksioni i SPAK për goditjen e grupit kriminal të trafikut të drogës, kush është i arrestuari i katërt! Një nga të dyshuarit, jashtë vendit

Prokuroria e Posaçme lëshoi 5 urdhër arreste ditën e djeshme (25 Korrik) ndaj anëtarëve të dyshuar të një grupi kriminal të trafikut të drogës.

Katër persona u arrestuan, ndërsa një prej tyre, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur, dyshohet se ndodhet jashtë vendit.

Në pranga ranë vëllezërit, Ervin e Artur Hoxhosmani, Ermir Ndreaj (pronar i disa kompanive), si edhe shtetasi Ilir LLoshi.

Gjatë operacionit të SPAK, u sekuestruan ora të shtrenjta, bizhuteri dhe makina luksoze.

Gjithashtu, në qelitë e burgut i janë komunikuar akuza të reja dy të burgosurve Plarent Dervishaj dhe Erion Alibej, ky i fundit bashkëpunëtor i drejtësisë.

Ndaj 7 të dyshuarve rëndojnë akuzat për trafik narkotikesh, grup i strukturuar, kryerja e veprave nga grupi strukturuar dhe armëmbajtje.

Kanë qenë dëshmitë e Erion Alibejt, që kanë çuar SPAK në goditjen e këtij grupi kriminal, pasi Alibej ka rrëfyer për dhjetëra ngjarje si dhe për trafikun e drogës. SPAK ka në dorë dëshminë e tij dhe biseda në aplikacionin Sky Ecc.

Plarent Dervishaj po gjykohet për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, ndërsa Erion Alibej akuzohet për disa vrasje me pagesë, por që ka statusin e të penduarit.

Kush është Ilir LLoshi

Emri i Ilir Lloshit ka dalë nga i penduari i drejtësisë, Erion Alibej, i cili në dëshmitë e dhëna para hetuesve ka zbuluar se njihet si Liçja’ dhe është shok fëmijërie i Hajdar Çopjas.

Dëshmia e Erion Alibej

Ne me vëllezërit Çopja kemi patur lidhje dhe vëllai im Endriti ka pas shkuar me ato.Në bazë të analizave të mia, duke filluar nga ngjarja e parë kur u vra vëllai im dhe sot e kësaj dite, mendoj se përplasja ka lindur si pakënaqësi dhe inate të brendshme apo sedre të atyre, që kur vëllezërit Çopja bënë një tentativë vrasje në Elbasan ndaj disa personave të tjerë.Ngjarje e cila është hetuar nga policia e Elbasanit, midis vëllezërve Çopja dhe një personi të quajtur Ervis. Endriti nga grupi tjetër i Ervisit, njërin nga vëllezërit e tij e kishte shumë shok.

Njëri nga ato persona i ka kërkuar Endritit para borxh, diku te 30 mijë euro. Në momentin që familja Çopja e mori vesh nuk i erdhi mirë dhe filloi të fliste që Endriti nuk bëri mirë që ua kishte dhënë paratë. Kam dëgjuar se familja Çopja ka qenë ortake me një anglez. Ato e kanë bërë vetë lojën që ti merrnin anglezit 25 kg nga 50 sa ishte sasia. Nëpërmjet një personi,‘Liçja’ që çuan tek anglezi me pretendimin qëky ishte personi që kishte mallin dhe ky e humbi. Liçja mesa di unë quhet Ilir Lloshi nga Elbasani, është gjallë dhe është moshatar me Çopjat.

Unë shtroj pyetjen si ka mundësi që Liçja është gjallë dhe njerëzit e mi janë vrarë kur supozohet se zanafilla e vrasjeve është 50 kg i kokainës.

Në dëshminë e tij përpara hetuesve belgë, Erion Alibej, u ngarkoi Çopjave krahas eleminimit të vëllait të tij dhe të kunatit të motrës në Belgjikë, edhe dy atentate të tjera të ndërmjetme në kohë.Ku në shënjestër të plumbave do të ishin sërish njerëz dhe miq të tij të afërt. Ku pas masakrës së Bradasheshit, ku të vrarë do të mbeteshin vëllai i tij, xhaxhai dhe një shtetas turk, atentati që do të pasonte do të ishte ai ndaj dy vëllezërve Baho. Atentat i ndodhur më 1 korrik 2019 në fshatin Broshkë të Elbasanit.Ku mbeti i vrarë, 22 vjeçari, Kevi Baho si dhe u plagos rëndë, vëllai i tij, 29 vjeçari, Aleksandër Baho.Që dyshohet se ishte edhe shënjestra e atentatit.

Ku ndaj makinës me të cilën udhëtonin dy vëllezërit, të njohur për lidhjet e tyre me krimin, u derdhën 35 plumba. Ndërkohë që vetëm pak muaj më pas, më 13 dhjetor 2019, një tjetër ekzekutim do të shënonte larjen e radhës së hesapeve midis dy bandave.Ku i eleminuari do të ishte Andi Zylyfi.I cili u vra me armë zjarri në fshatin Përparim, në rrugën nacionale Elbasan-Peqin.Ndërkohë që nga të shtënat mbeti i plagosur rëndë, miku i tij Ardit Uruçi.Atentat ndaj dy të rinjve që u krye teksakëta të fundit po udhëtonin së bashku me një makinë tip ‘Golf’.

Ku edhe këtë herë dyshimet ishin për larje hesapesh midis dy bandave. Pasi Andi Zylyfi kishte lidhje familjare me dy nga personat që mbetën të vrarë në masakrën e Bradasheshit, Endrit Alibejn dhe xhaxhain e tij. Ku për herë të parë në dëshminë e tij Erion Alibej, nxjerr si organizator të vrasjeve në familjen e tij edhe emrin e Talo Çelës.Një personazh i shumëkërkuar sot nga drejtësia, për disa ngjarje të rënda.