Vdiq në ambientet e burgut 313, familjarët e Besnik Koçiut akuzojnë institucionet për neglizhencë. Letra

Familjarët e Besnik Koçiut i cili ndërroi jetë në burgun 313 në Tiranë, përmes një letre të haour akuzojnë institucionet për neglizhencë dhe kërkojnë zbardhjen e ngjarjes.

Përmes të tjerash, ata shkruajnë se Besnik Koçiu ndërroi jetë jo nga sëmundja, por si pasojë direkte e shpërfilljes institucionale, e neglizhencës sistematike dhe e një zinxhiri vendimesh që morën jetën e tij, kur ende kishte kohë…

“Besnik Koçiu ishte përfshirë në një ngjarje aksidentale, ku për pasojë një person tjetër u plagos në këmbë nga një armë sportive (manovër). Ngjarja ndodhi padashje, një gabim njerëzor si ato që mund t’i ndodhin kujtdo. I dëmtuari, jo vetëm që nuk kërkoi ndjekje penale, por e fali menjëherë. E megjithatë, Besniku u arrestua në flagrancë me dyshimin se kishte konsumuar elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Mënyra se si u trajtua ishte larg çdo standardi njerëzor dhe ligjor”, thuhet në letrën e familjarëve të 51-vjeçarit të ndjerë.

LËTER E HAPUR – NGA FAMILJA E BESNIK KOÇIUT

Tiranë, 25 Korrik 2025

Dje, Besnik Koçiu, 51 vjeç, ndërroi jetë në burgun 313 Tiranë, më saktë në para-burgim. Dhe jo nga sëmundja. Jo nga fati. Por si pasojë direkte e shpërfilljes institucionale, e neglizhencës sistematike dhe e një zinxhiri vendimesh që morën jetën e tij, kur ende kishte kohë…

Besnik Koçiu ishte përfshirë në një ngjarje aksidentale, ku për pasojë një person tjetër u plagos në këmbë nga një armë sportive (manovër). Ngjarja ndodhi padashje, një gabim njerëzor si ato që mund t’i ndodhin kujtdo. I dëmtuari, jo vetëm që nuk kërkoi ndjekje penale, por e fali menjëherë.

E megjithatë, Besniku u arrestua në flagrancë me dyshimin se kishte konsumuar elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Mënyra se si u trajtua ishte larg çdo standardi njerëzor dhe ligjor. Dhe gjithçka nisi që në momentin e parë:

Policia vendosi menjëherë arrestimin, pa bërë një vlerësim të plotë dhe objektiv të rrethanave. Arma e përfshirë ishte një armë sportive (manovër), e blerë me dokumentacion përkatës, dhe ngjarja kishte ndodhur padashje.

Nuk u morën parasysh dëshmitë e paraqitura nga familjarët dhe mbrojtja, përfshirë statusin si person me aftësi të kufizuara (grupi II), diabetin e përparuar (me katër lloje insuline, njëra me përbërje specifike, ngjyre kafe), isheminë parciale të pësuar muajt e fundit, si dhe trombozën e rëndë të kaluar gjashtë muaj më parë.

Të njëjtat rrethana u shpërfillën edhe nga organi i akuzës, në momentin e administrimit të akteve dhe nisjes së çështjes në gjykatë me kërkesën për caktim të masës së sigurisë.

Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes dhe administrimit të dokumenteve zyrtare siç I kërkon ligji, përfshirë certifikatat mjekësore të QSUT-së, statusin e invaliditetit, dhe diagnozat e tjera serioze, vendosi t’i injorojë të gjitha.

Në vend që të shqyrtonte mundësinë e një mase sigurie më të përshtatshme, vendosi masën më ekstreme: “arrest me burg”. Institucioni i vuajtjes së dënimit, Burgu 313, nuk tregoi kujdesin dhe ndjeshmërinë minimale njerëzore për një të paraburgosur me probleme serioze shëndetësore.

Natën e parafundit të jetës së tij, ai ndante dhomën me disa të burgosur të tjerë, të cilët, duke parë përkeqësimin e dukshëm të gjendjes së tij, kërkuan nga administrata që të ndërhynte. Por në vend që të dërgohej për trajtim mjekësor, Besniku u largua nga dhoma dhe u izolua, në një ambjent tjetër.

Aty ai ndërroi jetë. I vetëm. Pa kujdesin mjekësor. Pa ndihmë. Pa asnjë njeri pranë në çastet e tij të fundit. Vetëm dy ditë më parë, me nje zë të ulët, ai na tha: “Do vdes këtu.” Lotët e tij i fshimë me duart tona.

Bërtitëm, kërkuam, trokitëm në dyer institucionesh por askush nuk dëgjoi. Dhe siç ai kishte ndjerë ndodhi. Por si ka mundësi të ndodhë kjo? Si mund të lëmë një njeri 51 vjeç, të sëmurë rëndë, të vdesë në qeli nga braktisja? Edhe nëse do të ishte fajtor, edhe nëse do të ishte vërtetë kriminel, minimumi që do të meritonte ishte trajtim human, kujdes mjekësor, dinjitet njerëzor.

E çfarë kërkojmë ne sot? Nuk kërkojmë më shumë sesa atë që çdo njeri meriton: Të kuptohet si ndodhi kjo vdekje. Të mos mbyllet si një statistikë. Të dihet pse një njeri që duhej të ishte në mjekim, përfundoi sot në dhe.

Kërkojmë që kjo histori të mos harrohet. Që institucionet të mos sillen më me shpërfillje ndaj jetëve njerëzore. Që askush të mos kalojë atë që kaloi Besniku. Ne duam drejtësi, jo hakmarrje, por ndërgjegjësim dhe përgjegjësi nga personat përgjegjës, personat që mund të kishin parandaluar vdekjen e Besnikut.

Kjo nuk është vetëm një çështje ligji. Është një çështje humanizmi, ndërgjegjeje dhe dinjiteti.

Ju drejtohemi në emër të jetës që u ndërpre padrejtësisht, në emër të çdo njeriu që mund të ishte në vendin e tij e në emër të atyre që nuk kanë zë, por vetëm një shpirt plot me dhimbje dhe zhgënjim.