Bllokimi i urës së vjetër në Milot shkakton kaos në qarkullimin rrugor drejt veriut dhe zonave turistike

Bllokimi i urës së vjetër në Milot ka shkaktuar një situatë kaotike në segmentin rrugor Laç–Lezhë, duke rënduar ndjeshëm trafikun këtë të shtunë. Radhë të gjata automjetesh, që shtrihen në disa kilometra, janë raportuar që në orët e para të mëngjesit.

Pika më problematike mbetet zona e Fushë-Milotit, aty ku “Rruga e Kombit” bashkohet me superstradën Laç–Lezhë, një nyje strategjike për lëvizjen drejt veriut të vendit dhe zonave turistike të bregdetit, si Shëngjini, Rana e Hedhun apo Velipoja.

Devijimi i trafikut në rrugë dytësore, për shkak të ndërprerjes së qarkullimit mbi urën e vjetër, ka tejmbushur kapacitetet e infrastrukturës lokale, e cila nuk është projektuar për fluks kaq të lartë, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

“Jemi prej më shumë se një ore në trafik. S’ka asnjë informacion dhe asnjë shenjëzim. Turistët janë të hutuar dhe të mërzitur,” – tha një drejtues automjeti që udhëtonte drejt Shëngjinit.

Autoritetet rrugore deri tani nuk kanë dhënë një afat konkret për zgjidhjen e problemit apo për rihapjen e pjesshme të urës, ndërkohë që zërat për ndërhyrje emergjente janë shtuar nga qytetarët, bizneset dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Sipas ekspertëve të transportit, në mungesë të një plani të shpejtë menaxhimi, situata mund të përkeqësohet gjatë fundjavave, kur trafiku drejt veriut dhe bregdetit intensifikohet ndjeshëm.