Aksident tragjik në ‘kthesën e Luftinjës’, policia: Mjeti i turistëve ukrainas u përplas me atë të çiftit shqiptar. Humbi jetën fëmija 7 vjeç

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur rreth orës 14:30 në aksin “Tepelenë–Krahës”, në vendin e njohur si “Kthesa e Luftinjës”, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë 7-vjeç, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia, në aksident janë përfshirë dy automjete. Njëri prej tyre drejtohej nga shtetasi B. D., banues në fshatin Kalivaç, ndërsa tjetri nga një shtetas ukrainas, V. T., 38 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë rrugës për në spital djali i mitur i çiftit B. D. dhe S. D., të cilët kanë marrë dëmtime të lehta. Po ashtu, janë plagosur lehtë edhe drejtuesi ukrainas dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin me të. Të katërt po marrin ndihmën mjekësore përkatëse në spitalin rajonal.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit në kthesën e rrezikshme mund të ketë qenë faktor kryesor.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në segmentet me rrezikshmëri të lartë, siç është “Kthesa e Luftinjës”.