Nga portet e Europës tek bankat offshore/ Operacioni i SPAK ndaj rrjetit shqiptar të drogës, si u përdor ‘Hawala’

SPAK godet një grup kriminal që trafikoi nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe mbi 6 ton kokainë me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh.

Prokuroria e Posaçme firmosi urdhër arreste për shtatë prej anëtarëve të grupit, mes tyre vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosman, Ermir Ndreaj pronar i disa bizneseve si dhe Ilir Lloshi gjashtë aksionit të së premtes.

Plarent Dervishajt, i akuzuar për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj me një të vrarë dhe dy të plagosur dhe Erion Alibejt, i akuzuar për vrasje dhe atentate mafioze iu komunikuan akuzat në ambientet e paraburgimit. Ndërsa i dyshuari i shtatë u shpall në kërkim pasi ndodhet jashtë vendit.

Nga hetimet rezulton se kokaina vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të Anversit në Belgjikë dhe Roterdamit në Holandë. Në rrugë tokësore transportohej në Francë dhe përmes Kanalit në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.

Ngarkesat me drogë janë kapur përgjatë periudhë 2020–2021, konkretisht në shkurt 2020 u sekuestrua në Spanjë një sasi prej 400 kg kokainë, në Belgjikë në prill 989 kg kokainë. në prill të 2020 u sekuestrua në Francë 250 kg kokainë me destinacion Britaninë e Madhe. Në qershor 2020 në Holandë u sekuestrua mbi 2000 kg kokainë me vlerë tregua 151 milionë euro.

Në Holandë në tetor 2020 është sekuestruar 1484 kg kokainë. Grupi kriminal po ashtu trafikonte edhe hashash.

Droga sipas SPAK fshihej në mënyra të ndryshme, si në paleta me dru në rastet e Belgjikës dhe Francës, kuti me banane në rastet e Holandës dhe thasë me kokrra kakaoje në Rotterdam, duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.

Shumica e drejtuesve dhe financuesve të grupit, jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Rolet e anëtarëve të grupit ishin të ndara. Bashkëpunëtorët siguronin logjistikën dhe transportin dhe më pas shpërndarjen. Pagesat për ngarkesën e drogës kryheshin përmes sistemin informal të pagesës ‘Hawala’. Grupi kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Gjatë aksionit të së premtes u sekuestruan armë zjarri, orë të shtrenjta, makina luksoze, 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim. Gjithashtu u sekuestruan dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.

Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi: deklaruan se “Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare.”

Goditja e grupit erdhi pas zbërthimit të qindra komunikimeve në Sky ECC.