Erjon Alibej dhe Plarent Dervishaj janë në mesin e 6 të arrestuarve nga SPAK gjatë operacionit që shkatërroi organizatën kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Evropian.
Kësaj organizate i janë kapur 6 ton kokainë gjatë periudhës 2020-2021 me vlerë 411 milionë Euro në vendet e BE-së. Por teksa në atë periudhë, Alibej dhe Dervishaj duket se kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt në trafik kokaine, sot ata janë dy kundërshtarë përballë drejtësisë.
Erion Alibej është bashkëpunëtor i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka zbërthyer një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, shumica e të cilave të zhvilluara në Elbasan.
Plaurent Dervishaj, i cili u ekstradua nga SPAK më 14 gusht 2024, konsiderohet nga SPAK si organizatori i atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në nëntor të 2019. Ai akuzohet edhe për vrasjen e Klodian Saliut në 2005, kryer në bashkëpunim si dhe Vajdin Lamajt e Artan Arsit me eksploziv, po në të njëjtin vit.
Vetëm para disa ditësh, Erjon Alibej dhe Plarent Dervishaj u përplasën ashpër në një seancë gjyqësore të GJKKO, ku Alibej po rrëfente ngjarje kriminale.
Dëshmia e të penduarit të drejtësisë Erion Alibej në gjyqin ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, krijoi tension dhe debate të forta në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme.