Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në një hotel në zonën e Skelës, në Vlorë, ku një kamarier 18-vjeçar është dhunuar fizikisht nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një tjetër person me precedentë penalë.
I riu ka treguar se gjithçka nisi pas një keqkuptimi rreth një shishe uji të tepërt të sjellë në tavolinë.
“Erdhën dy zotërinj dhe u ulën në tavolinë. Porosinë e mori dikush tjetër, unë vetëm e shpërndava. Porosia ishte një ujë e madhe, një e vogël dhe një makiato. Kur ua çova, njëri prej tyre më tha: ‘Vetëm një ujë sill, se ai tjetri është rrotë k…’. I thashë që s’ka problem, e heq ujin, por s’ka nevojë të shash, se ka ndodhur pa dashje”, tregon kamarieri.
Pas kësaj, sipas dëshmisë, dy burrat, rreth të 40-ave, e kanë ndjekur kamarierin deri në banak dhe e kanë sulmuar fizikisht.
“I thashë ‘të lutem mos më kap me dorë’. Ishte dhe menaxheri aty. Njëri më qëlloi me shpullë dhe dy herë me grusht, në fytyrë dhe qafë. Më hodhi syzet. Mirë që nuk mi theu. Sapo i kam mbushur 18 vjeç”, rrëfen i riu.
Autorët e kësaj ngjarje janë identifikuar si Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit në Vlorë, dhe Leart Bino, një person me të kaluar kriminale.