Të akuzuarit për trafikun e drogës në Europë kanë dalë para GJKKO për tu njohur me masat e sigurisë. Aktualisht, gjyqtari Erjon Bani ka vendosur shtyrjen e seancës me 1 orë për shkak se avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar kohë të njihen me aktet.
Para trupës gjykuese kanë dalë dy vëllezërit biznesmenë, Klevis dhe Artur Hoxhosmani, Ilir Lloshaj, si edhe bosi i klubit të natës ‘Cinco Cavalli’. Ndaj tyre është caktuar masa arrest me burg, ndërsa në GJKKO do të njihen me masën e dytë të sigurisë edhe dy ish-ortakët e tyre Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj, të dy aktualisht në burg edhe për dosjen Plumbi i Artë.
Ndërkohë, ka dalë edhe emrin e biznesmenit të shpallur në kërkim, i cili dyshohet se fshihet në Dubai. Bëhet fjalë për biznesmenin Elidon Skëndaj, i njohur dhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj. Ai rezulton pronar i një bar kafeje tek zona e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës si edhe i një kompanie ndërtimi, Erking shpk.
Nga hetimi rezultoi se ky grup ishte aktiv në vitet 2020-2021 në disa shtete europiane, përqendruar në trafikimin e kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Droga fshihej mes konteinerëve, në paleta druri, kuti me banane ose në thasë me kakao. Vetëm gjatë kësaj periudhe u dokumentuan dhjetëra episode trafikimi e sekuestrimi droge, në total mbi 6 ton dhe kapte vlerën e 411 milionë eurove.
Shumica e drejtuesve jetonin edhe midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe. Anëtarët e grupit komunikonin në “Sky ECC”. Kur dyshonin se droga do kapej, telefonat i shkatërronin. Por SPAK ra në gjurmët e tyre, pikërisht këto biseda të zbërthyera me ndihmën e francezëve.
Nga operacioni u sekuestruan 43,470 euro dhe 5,000 franga zvicerane, si dhe 3 makina, përfshirë një luksoze, Mercedes Benz AMG G63. U bllokua gjithashtu një skaf luksoz, prodhim i vitit 2025. Nga kontrollet u gjetën edhe 2 orë luksi, Rolex dhe Richard Mille, 16 celularë, 19 karta bankare ndërkombëtare dhe të dhëna llogarish të huaja bankare në Dubai, Gjermani, Itali dhe Panama.
U sekuestrua gjithashtu një dron profesional, 8 hard disqe dhe pajisje të tjera elektronike të sofistikuara. Në shtëpinë e Artur Hoxhosmanit u gjetën 3 pistoleta pa leje.