Panik në aeroport/ Avioni pëson defekt, pasagjerët evakuohen përmes ‘rrëshqitëseve emergjente’

Një incident i frikshëm është shënuar të shtunën pasdite në aeroportin ndërkombëtar të Denverit, ku pasagjerët e një avioni të linjës American Airlines u detyruan të evakuoheshin me urgjencë për shkak të një defekti gjatë nisjes.

Sipas autoriteteve lokale, incidenti ndodhi në bordin e fluturimit AA3023 me destinacion aeroportin ndërkombëtar të Miamit, ndërsa avioni ndodhej ende në pistë. Departamenti i Zjarrfikësve të Denverit konfirmoi se defekti ndodhi në avionin Boeing 737 MAX 8 rreth orës 14:45 me orën lokale.

Në bord ndodheshin 173 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, të cilët u evakuuan të gjithë me sukses. Një person u transportua në spital me lëndime të lehta, njoftoi kompania ajrore.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin e evakuimit përmes rrëshqitëseve emergjente, ndërsa tymi dhe flakët dukeshin të dilnin nga pjesa e pasme e avionit.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) konfirmoi përmes një deklarate se ekuipazhi kishte raportuar një problem të mundshëm me pajisjen e uljes gjatë nisjes, duke detyruar ndërhyrjen emergjente.

Autoritetet janë duke hetuar rrethanat e incidentit. Fatmirësisht, nuk raportohet për pasoja të rënda, por situata ka shkaktuar panik në bord dhe vonesa të tjera në operacionet e aeroportit.