Zjarri në Delvinë i dukshëm nga hapësira! Nasa publikon pamjet

NASA ka publikuar në faqen e saj zyrtare pamje satelitore nga zjarret që kanë përfshirë jugun e Shqipërisë, përfshirë një vatër të madhe pranë Delvinës, e cila detyroi evakuimin e mbi 2,000 banorëve.

Sipas NASA-s, imazhet janë kapur më 24 korrik nga sateliti Terra, përmes instrumentit MODIS (Moderate Resolution Imaging Spectroradiometer).

Në to duken qartë zonat e përfshira nga zjarri dhe retë e dendura të tymit që përhapen në pjesë të ndryshme të vendit. Vatrat aktive shënohen me pika të kuqe, ndërsa tymi paraqitet me ngjyrë gri.

“Zjarri më i madh në momentin e imazhit ishte ai pranë Delvinës, në jug të Shqipërisë”- thuhet në publikimin e NASA-s.

Sipas të dhënave nga Zoom Earth të datës 27 korrik, zjarri më i madh kishte përfshirë mbi 23,000 hektarë, ndërsa dy vatra të tjera kishin djegur përkatësisht 17,997 dhe mbi 2,900 hektarë. Më herët, më 25 korrik, autoritetet shqiptare raportuan për tre persona të lënduar nga djegiet dhe inhalimi i tymit, si dhe për evakuimin e mijëra banorëve nga zonat e rrezikuara.