Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale më datë 28.07.2025, ku shfaqet një punonjës policie i dyshuar për konsumim lëndësh narkotike, sqarojmë se:
Punonjësi i identifikuar në video, Inspektor Xh. T., është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit. Ky vendim ka ardhur pas shqyrtimit të shkeljeve të mëparshme disiplinore, përfshirë një masë të dhënë më parë për sjellje jokorrekte ndaj eprorëve dhe mosmbajtje të uniformës së Policisë.
Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pasur në proces hetimi disiplinor të Inspektorit Xh. T., për braktisje të detyrës dhe mungesë të pajustifikuar për një periudhë 7 ditor, duke e përjashtuar përfundimisht atë nga shërbimi, sipas ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Pas publikimit të videos, strukturat përgjegjëse të AMP-së dhe Policisë së Shtetit janë angazhuar për të kryer verifikime të tjera dhe për të dërguar materialet përkatëse në Prokurori për ndjekje të mëtejshme ligjore.
Policia e Shtetit ka theksuar angazhimin e saj për të larguar nga radhët e saj çdo punonjës që abuzon me detyrën dhe cenon besimin e qytetarëve te institucionet e rendit.