“E goditi mbi 50 herë me thikë dhe i vuri flakën”/ Policia jep versionin zyrtar për ngjarjen në Pogradec

Pogradec u trondit nga një vrasje makabre mëngjesin e së hënës, ku një grua 52-vjeçare u gjet pa jetë në banesën e saj në lagjen nr. 1, e cila po përfshihej nga flakët. Fillimisht u dyshua për një vdekje nga asfiksia, por hetimet zbuluan një skenar shumë më të errët: ajo ishte masakruar me thikë nga bashkëjetuesi i saj.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Korçës, viktima është Kozeta Toçe, ndërsa autori i dyshuar është 31-vjeçari Ilirjan Selmani, me të cilin ajo kishte një lidhje intime prej tre vitesh. Hetuesit zbuluan se Selmani e kishte goditur gruan 50 herë me një thikë buke, më pas kishte tentuar të fshihte gjurmët e krimit dhe në fund i kishte vënë zjarrin banesës për të shkatërruar çdo provë.

 

Pamjet e kamerave të sigurisë në zonë e zbuluan autorin si personin e fundit që kishte hyrë në shtëpinë e saj dhe më pas ishte parë duke hedhur në një kosh mbeturinash peshqirë dhe peceta të përgjakura.

 

Nëna e autorit, në një deklaratë për mediat, është shprehur se nuk ishin dakord me lidhjen e tij me viktimën për shkak të diferencës në moshë, por ka pohuar se “djali im nuk mund të jetë vrasës”, një qëndrim që bie ndesh me provat e mbledhura deri më tani nga hetuesit.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa policia dhe prokuroria e Korçës kanë nisur procedurat për ndjekjen penale të autorit nën akuzën e “vrasjes me paramendim” dhe “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar në detaje motivin e krimit