Tregtia online në Shqipëri po njeh një bum të vërtetë, me një qarkullim vjetor që kap shifrën prej 400 milionë euro dhe me mijëra pako që shpërndahen çdo ditë.
Por kjo rritje e vrullshme ka nxjerrë në pah edhe një sërë sfidash, sidomos në lidhje me sigurinë e produkteve që shiten online.
Për të vendosur rregull në këtë treg në zgjerim të shpejtë, Ministria e Ekonomisë ka përgatitur një projektligj të ri për tregtimin dhe mbikëqyrjen e produkteve joushqimore, që synon të rrisë standardet e sigurisë dhe të eliminojë konkurrencën e pandershme.
Në një intervistë televizive, zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, theksoi se mungesa e burimeve njerëzore ka bërë që kontrolli i tregtisë online të jetë i vështirë, sidomos për produktet që vijnë nga jashtë vendit dhe që nuk kanë përfaqësues ligjorë në territorin shqiptar. Sipas tij, kjo e bën të vështirë ndërhyrjen në rastet kur produktet përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Projektligji synon të forcojë mekanizmat e mbikëqyrjes, të rrisë gjurmueshmërinë e produkteve dhe të përafruar legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu synon të sigurojë një treg më të drejtë, më të kontrolluar dhe më të sigurt për konsumatorët shqiptarë.