KF Shkëndija ka shkruar historinë duke u kualifikuar për herë të parë në turin e tretë të UEFA Champions League dhe duke siguruar minimalisht pjesëmarrjen në fazën e grupeve të një kompeticioni europian.
Skuadra nga Tetova triumfoi ndaj FCSB (Steaua Bucharest) me rezultatin 2-1 në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar në “Arena Națională” të Bukureshtit.
Kjo fitore, së bashku me suksesin 1-0 në ndeshjen e parë në Shkup, i dha Shkëndijës kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 3-1.
Rumunët kaluan të parët në epërsi në minutën e 28-të, por reagimi i kuqezinjve ishte i menjëhershëm: vetëm pesë minuta më vonë, Liridon Latifi barazoi rezultatin me një gol të bukur nga distanca.
Në fundin e ndeshjes, Egzon Krstevski realizoi golin e fitores dhe kualifikimit, duke vulosur një nga momentet më të rëndësishme në historinë e futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Me këtë sukses, Shkëndija jo vetëm kaloi më tej në rrugëtimin europian, por siguroi edhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve të UEFA Europa Conference League, nëse nuk arrin të kualifikohet në “play-off”-in e Champions League.
Në turin e tretë, kampionët e Maqedonisë së Veriut do të përballen me skuadrën e njohur azere Qarabağ FK, që eliminoi Shelbourne FC të Irlandës me rezultatin e përgjithshëm 4-0. Ndeshja e parë do të luhet më 5 gusht në Shkup, ndërsa ajo e kthimit një javë më pas në Azerbajxhan.
Ky kualifikim përbën një moment historik për futbollin në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë një klub nga ky vend do të përfaqësohet në fazën e grupeve të një kompeticioni të UEFA-s.
Dhe ishte pikërisht një klub shqiptar që arriti të thyejë këtë tabu shumëvjeçare.