Del para gjykatës Ilirjan Selmani, provat e prokurorisë për vrasjen e Kozeta Teços

Ilirjan Selmani, i dyshuari për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teço në Pogradec, është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Korçës për caktimin e masës së sigurisë.

I shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, 31-vjeçari pritet të përballet me akuzat e ngritura nga prokuroria, e cila ka paraqitur një sërë provash të rëndësishme që e lidhin atë me ngjarjen e rëndë të ndodhur në mëngjesin e së hënës.

Sipas organit të akuzës, një nga provat kryesore janë analizat laboratorike të kryera mbi mostrat e marra nga Selmani ka dalë se njollat e gjakut të gjetura në pantallonat e tij i përkasin viktimës, Kozeta Teço.

Po ashtu, hetuesit janë në posedim të pamjeve filmike të marra nga kamerat e sigurisë së bizneseve përreth, ku Selmani shihet duke hyrë dhe dalë nga banesa e viktimës.

Në një moment tjetër, ai shfaqet duke hedhur një qese me veshje të përgjakura në një kazan mbeturinash, provë që rëndon edhe më tej pozitat e tij ligjore.