Menduan se po kërkonte një thesar, zbulohet misteri i helikopterit me “unazë gjigante” në Turqi

Pamjet e një helikopteri duke fluturuar me një strukturë të madhe rrethore në zonën e Gümüşhane në Turqi, shkaktuan kuriozitet dhe thashetheme mes banorëve të zonës, të cilët dyshuan se bëhej fjalë për një “gjueti thesari”.

Mediat turke bëjnë të ditur se e vërteta doli të ishte krejt ndryshe, pasi helikopteri ishte pjesë e projektit “Studim Elektromagnetik Gjeofizik Ajror”, i organizuar nga Kërkimi Teknik i Mineraleve (MTA), me qëllim identifikimin nga ajri të potencialit mineral metalik të rajonit.

Helikopteri ishte i pajisur me sensorë gjeofizikë të avancuar, të aftë për të mbledhur të dhëna nga ajri. Këto të dhëna shërbejnë për krijimin e modeleve dy- dhe tridimensionale të nëntokës, që ndihmojnë në identifikimin e zonave me interes për burime minerale.

Teknologjia e përdorur u përshkrua si një lloj “rreze X ajrore”, që lejon zbulimin pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë në terren të depozitave minerale të fshehura. Gjatë vitit 2025, në kuadër të këtij projekti në Turqi, pritet të kryhen 15,250 kilometra studime gjeofizike ajrore në disa rajone të vendit, përfshirë dhe Gümüşhane, që njihet për pasuritë e saj nëntokësore.