Dëmet nga zjarret, AKVMB: Rreth 130 krerë bagëti dhe mbi 600 zgjoje bletësh të djegura në jug të vendit

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve deklaron se ka ngritur grupet e punës për monitorimin e fermave dhe raportimin mbi gjendjen e shëndetit të kafshëve blegtorale në zonat e prekura nga zjarret në bashkitë Delvinë, Finiq dhe Gramsh.

Në njoftimin për mediet, AKVMB ka publikuar të dhënat e deritanishme pas situatës së zjarreve që përfshiu këto tre bashki.

Në fshatrat Tremul dhe Aliko të Njësisë Administrative Aliko në Bashkinë Finiq janë shkaktuar dëme në kullota dhe parcela me ullinj, por nuk ka humbje në bagëti.

Fermerët janë udhëzuar për hapat që duhet të ndjekin në rast rreziku.

Në Njësinë Administrative Dhivër, po në këtë bashki janë dëmtuar kullota dhe ullishte.

Fermat që rrezikoheshin nga mungesa e ushqimit për bagëtitë u evakuuan në zona të sigurta me kullota, larg vatrave të zjarrit.

Në fshatin Sirakat, Njësia Administrative Mesopotam është konstatuar djegia e një stalle me 4 viça të ngordhur, si dhe djegia e dy parqeve me bletë, përkatësisht me 140 dhe 57 zgjoje.

AKVMB deklaron më tej se në Bashkinë Delvinë situata paraqitet e rënduar.

Grupet e punës vijojnë monitorimin në terren. Paraprakisht dyshohet për djegien e një ferme me 25 krerë të imtash dhe 9 parqe bletësh, me gjithsej 500 zgjoje.

Në fshatrat Skëndërbegas, Arunas, Shëmbërdhenjë, Bletës dhe Kullollas janë konstatuar të djegur 9 krerë gjedh, 95 krerë të imtash dhe 50 zgjoje bletësh.

Grupet e punës janë në terren për evidentimin e plotë të dëmeve dhe në ndihmë të fermerëve. Kafshët e ngordhura po groposen.

Deri më tani, sipas protokolleve veterinare janë groposur 39 krerë të imta dhe gjedh.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve u bën thirrje fermerëve të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet shtetërore për mbrojtjen e jetës së tyre dhe shëndetit të kafshëve.

Për ndihmë ose raportim, qytetarëve u kërkohet të kontaktojnë në numrin e gjelbër 0800 33 66.