Një laborator jashtë vendit ka marrë përsipër kryerjen e analizave të mbetjeve të KURUM, të cilat dyshohen të jenë të rrezikshme dhe pas kthimit mbrapsht nga Tajlanda, janë vendosur në Porto Romano dhe ruhen me forca policie. Mbetjet u kthyen pasi u ngrit alarmi se ishin toksike dhe ishin nisur drejt Tajlandës nga kompania “Sokolaj” shpk, e Gjovana Sokolaj, pa marrë autorizimin e vendit pritës. Për të konfirmuar se çfarë ndodhet brenda 102 kontejnerëve duhej të merreshin mostrat dhe të kryheshin analizat.
Por institucionet shqiptare nuk morën përsipër ta bënin këtë dhe Prokuroria e Durrësit, nën presionin e organizatave ndërkombëtare, kërkoi ndihmën e ekspertëve të huaj. Tashmë, sipas burimeve, është identifikuar laboratori që do të kryejë analizat dhe pritet të mbërrijnë ekspertët për të marrë mostrat. Por për këtë proces janë dashur plot 8 muaj, gjatë të cilëve Prokuroria e Durrësit, e drejtuar nga Suela Beluli, ka fjetur mbi dosje, duke i dhënë kohë të mjaftueshme personave përgjegjës në qeveri, përfshirë Gjovana Sokolajn dhe kompaninë KURUM, të fshijnë gjurmët e veprës penale. Hetimet fillimisht u kryen nga prokurorja Mediana Metaj, por çështja mbeti pezull pa rezultate konkrete.
Për më tepër, kjo “qetësi” është ndihmuar edhe nga heshtja e pjesës më të madhe të medias, e cila për shkak të marketingut të KURUM ka shmangur t’i japë vëmendje një skandali me përmasa kombëtare. Po aq domethënëse është heshtja e qeverisë dhe apatia e opozitës, të cilat për një çështje kaq të prekshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve kanë zgjedhur të mos flasin. Transporti i mbetjeve toksike mbetet një temë e paprekur nga politika dhe media, ndërkohë që problemi më i madh nuk është më rruga e dështuar drejt Tajlandës, por fakti që këto mbetje vazhdojnë të depozitohen brenda territorit të Shqipërisë.
Kujtojmë se mëngjesin e 28 tetorit 2024, anija “Molivia” me flamur turk uli spirancën në radën e jashtme të portit të Durrësit, duke i kthyer mbrapsht Shqipërisë 102 kontenierët me mbetjet e dyshuara, që më herët shkaktuan një alarm global mjedisor. Ngarkesa e padëshiruar kishte dalë nga i njëjti port në drejtim të Tajlandës, por mbeti për muaj me radhë në det, pasi organizata mjedisore “Basel Action Network”, BAN, ngriti shqetësimin se brenda saj mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD).
Në këtë aferë, e cila ka përmasat e një skandali shtetëror, janë të përfshirë tre ministra: Mirela Kumbaro, Belinda Balluku dhe Pirro Vengu. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit akuzohet për dhënien e një licence të paligjshme mjedisore, ndërsa Balluku dhe Vengu (në kohën e skandalit drejtor i Portit të Durrësit) mbajnë përgjegjësi direkte për lehtësimin e transportit të mbetjeve jashtë vendit. Fakti që kontejnerët me mbetje të rrezikshme janë nisur nga porti i Durrësit, pa asnjë kontroll efektiv, nxjerr në pah dështimin e institucioneve që varen nga dy prej ministrive më të rëndësishme në vend: ajo e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës. Pra në këtë vend, ku prokuroria vonon, qeveria nuk jep asnjë informacion, opozita mbyll sytë dhe mediat heshtin, mbetjet toksike kanë gjetur strehë më të sigurtë se vetë qytetarët. Dhe kjo është prova më therëse e një skandali që po mbulohet me pluhur, ndërsa helmi i tij mbetet ende mes nesh.