Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet, i hedhur për konsultim publik, vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë së qytetarëve dhe rritjes së qëndrueshmërisë ndaj fatkeqësive natyrore nga ana e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Megjithatë, sipas AmCham, natyra e tij detyruese dhe ndërveprimi me kuadrin ekzistues ligjor ngre një sërë çështjesh që kërkojnë saktësim dhe përmirësim. Ligji përkufizon banesat dhe seksionet e brendshme të tyre, por mbeten të paqartë rastet e ndërtesave me përdorim të përzier apo ato që janë vetëm pjesërisht rezidenciale.
Këto paqartësi pritet të sjellin interpretime të ndryshme dhe mundësi mosmarrëveshjesh në zbatim. Po ashtu, përkufizimi i “ngjarjes së tërmetit” lidhet me magnitudën mbi 5.0, por mungon një procedurë e qartë për njohjen dhe shpalljen zyrtare të saj nga autoritetet përkatëse, duke lënë hapësirë për kontestim, thekson AmCham. Një element thelbësor i projektligjit është lidhja e sigurimit të detyrueshëm me aksesin në shërbime të rëndësishme publike si kadastra, “e-Albania” apo QKB.
Ky mekanizëm është një stimul i fortë për respektimin e ligjit, por ngre shqetësime për proporcionalitetin, sidomos për shtresat më vulnerabël. Ekspertët theksojnë se duhen parashikuar përjashtime ose lehtësime për kategori të caktuara të popullsisë, për të shmangur penalizimin e tepërt. Projektligji parashikon krijimin e një Fondi për Tërmetet si shoqëri aksionare publike. Edhe pse ky model shihet si pozitiv, kompetencat e gjera të Ministrisë së Financave mbi emërimet dhe mbikëqyrjen ngrenë pikëpyetje mbi pavarësinë reale të fondit.
Dhoma Amerikane sugjeron që të përcaktohen dispozita më të detajuara për konfliktin e interesit, transparencën dhe raportimin publik periodik duke përfshirë auditime të rregullta. Afati tremujor i përcaktuar për pagesën e pretendimeve shihet si pozitiv, por projektligji nuk sqaron procedurat në rast vonese apo refuzimi. Po ashtu, mekanizmi i ankimimit në një komision ad-hoc është i paqartë në përbërje dhe kompetenca.
Një kuadër më i plotë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përfshirë ndërmjetësimin ose arbitrazhin, do të rriste besimin dhe efikasitetin e sistemit, thekson më tej AmCham. Projektligji parashikon krijimin e një regjistri të sigurimit dhe shkëmbim të të dhënave ndërmjet institucioneve. Megjithatë, mungon një referim i qartë për përputhshmërinë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Pa këto garanci, rreziku i kontestimeve ligjore dhe i shkeljes së të drejtave të qytetarëve mbetet i lartë, nënvizon Dhoma Amerikane.
Një tjetër çështje e ndjeshme sipas AmCham është koordinimi mes sigurimit të detyrueshëm dhe atij vullnetar. Projektligji nuk jep detaje mbi renditjen e pagesave apo mbi të drejtën e subrogimit, gjë që mund të çojë në mbivendosje dhe kontestime ligjore. Rregulla të qarta në këtë drejtim do të ishin të domosdoshme.
Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet është një nismë që synon të rrisë sigurinë e qytetarëve dhe të mbrojë ekonominë familjare e kombëtare nga pasojat e fatkeqësive natyrore. Por, që të jetë funksional dhe i besueshëm, projektligji kërkon më shumë qartësi ligjore, mekanizma mbrojtës për qytetarët dhe një qeverisje të pavarur e transparente të Fondit, vëren AmCham.
/Gazeta Panorama